Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Kjo e premte, pra 22 Nëntori është festë kombëtare. Sot është Dita e Alfabetit. E gjithë administrata shtetërore pushon sot rastin e kësaj dite e cila u shpall festë kombëtare një vit më parë nga qeveria.
Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë shqiptarët në rrjetet sociale duke shpërndarë një video me një mesazh që ta ruajmë dhe ta përcjellim te brezat që vijnë. “Gjuha Shqipe, dje sot, përgjithmonë. Ta ruajmë, ta duam, ta përcjellim te brezat që vijnë”, thuhet në video, ndërkohë që Rama e ka shoqëruar me një shkrim të thjeshtë: Gëzuar ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe prezantoi projektin “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”. Sipas ministres Ogerta Manastirliu ky fjalor ka rreth 120 mijë fjalë dhe është produkt i një pune voluminoze prej 4 vitesh.
“Në datën 22 nëntor, ne kujtojmë një nga momentet më domethënëse të historisë sonë kombëtare, Kongresin e Manastirit. Sot, 116 vite më pas, përmes këtij fjalori, ne vijojmë të përmbushim atë mision të rilindësve për ruajtjen e identitetit dhe forcimin e gjuhës sonë amtare. Ky fjalor është më shumë se një thesar fjalësh. Është një dëshmi e kulturës sonë shprehimore dhe e rrugëtimit të gjuhës shqipe.
Me rreth 120 mijë fjalë, ky fjalor përfaqëson një arkiv të gjallë të trashëgimisë sonë gjuhësore dhe një mjet të fuqishëm për studiuesit, nxënësit dhe çdo përdorues të gjuhës shqipe. Ky fjalor nuk është vetëm një mjet për komunikim, por një mburojë kundër ndikimeve të globalizmit dhe një burim për hulumtime të mëtejshme shkencore, duke dëshmuar se gjuha shqipe mbetet shtylla e identitetit tonë kombëtar“, tha Manastirliu.
Fjalori do të mund të gjendet online dhe më pas do të printohet në fillim të vitit 2025. Ky fjalor do të bëhet i katërti fjalor i madh i Gjuhës Shqipe.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)