Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Një sondazh i fundit me konsumatoret shqiptarë tregon hezitimin e tyre për t’i shdërruar kursimet në investim
Sondazhi është zhvilluar nga Qendra Studentore ABC Tirana Club, me 300 qytetarë, të intervistuar në mjediset e 5 qendrave tregtare të njohura në kryeqytet, një kampion që reflekton proporcionin gjinor, moshor, arsimor etj.
Me kursimet që keni a jeni të gatshëm të investoni? – ishte një pyetje që ju drejtua konsumatorëve, të cilët, në shumicë shprehën mosgatishmëri, (60%). Ndërkohë që ishin të gatshëm për investim 23% e tyre dhe pjesa tjetër ngurroi të përgjigjet. Sondazhi është kryer në mes të prillit dhe është pjesë e projektit studentor “Kursimi apo investimi – kur është koha?”.
Nga të dhënat e përftuara pasiguria për mosgatishmërinë e investimit të kursimeve duket se ka si shkak kryesor “më duhen më shumë para për investimin” (33%) dhe më pas renditen përgjigjet se: “nuk kam siguri për investimin” (30%); “nuk kam një ide të qartë” (18%); “më duhet më shumë kohë për investimin” (15%). Vetëm 4% preferuan të përgjigjen.
Trendi i pandalur i rritjes së kursimeve të qytetarëve shqiptarë në bankat e nivelit të dytë reflektohet dhenga treguesi për përgjigjet e tyre pas pyetjes se a kanë hapur një llogari kursimi. 63% thanë “Po”, 27% “Jo” dhe pjesa tjetër nuk dha përgjigje. Leku mbetet monedha më e preferuar për kursimet bankare (64%), Euro 28% dhe USD 8%.
Për ata që nuk kanë hapur ende një llogari kursimi, si arsye kryesore ishte “nuk kam interes” (45%); “nuk kam njohuri” (18%); “nuk kam besim” (28%) dhe 9% nuk dëshiruan të përgjigjen.
Cila është mënyra më e mirë për të kursyer? – ishte një pyetje tjetër gjatë sondazhit, për të cilën përgjigjet ishin: “rregullisht çdo muaj” (21%); “sa herë që mundem” (35%); “të dyja mënyrat (37%) dhe 7% nuk u përgjigjën.
Sondazhi kishte dhe pyetje të tjera në lidhje me qasjen në shërbimet virtuale të qytetareve në bankat e nivelit të dytë, aplikimet për kredi dhe orientimin e e saj për nevojat që kanë, si i kanë fituar njohuritë për procedurat bankare etj.
Gjetjet e sondazhit dhe problematikat e hasura mbi këto çështje priten që të diskutohen në një Forum që ABC Tirana Club do të organizojë javën e dytë të muajit maj 2022 në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.
Projekti “Kursimi apo investimi – kur është koha?” përfshin dhe një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi të publikut, kryesisht në mediat e reja dhe rrjetet sociale dhe është edicioni i katërt i programit studentor “Edukimi ekonomik dhe financiar i publikut”, të cilin ABC Tirana Club po e realizon në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë, si dhe me mbështetjen e Raiffeisen Invest.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)