Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Ndonëse vazhdimisht ka kërkuar ndërhyrjen e BE për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, qeveria shqiptare nuk e ka mbështetur deklaratën e përfaqësuesit të lartë Joseph Borrel për situatën në veri të Kosovës, duke dalë për herë të parë jashtë linjës së Bashkimit Europian.
Deklaratën e datës 19 Shtator, për të cilën kërkohet mbështetja e vendeve anëtare dhe atyre kandidate, qeveria shqiptare e konsideron të papërshtatshme, pasi sipas saj, përgjegjëse për konfliktin bëhet Kosova, kur në të vërtetë është shteti serb.
Konkretisht në deklaratë thuhet: “Lëvizjet e Kosovës, duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, urdhrat e dëbimit, telekomunikacionin dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve”.
Një tjetër motiv që e ka nxjerrë Shqipërinë jashtë linjës së Bashkimit Europian është dhe mungesa e reflektimit në deklaratë të ngjarjeve të fundit, ku mbeti i vrarë një oficer policie në Kosovë, duke e bërë të papërshtatshme për situatën aktuale.
Kjo është hera e parë që vendi ynë nuk linjëzohet me qëndrimet e Bashkimit Evropian. Deri më sot, Shqipëria i është bashkuar të gjitha deklaratave dhe vendimeve në fushën e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të Unionit, por këtë herë zgjodhi të qëndronte krah Kosovës.
Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama dënoi ashpër vendimin e Serbisë për të shpallur datën 27 Shtator ditë zie, për vrasjen e 3 terroristëve serbë nga policia e Kosovës, pasi vranë efektivin Afrim Bunjaku. Në një mesazh në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare thotë se është sinjali më i keq që Serbia i jep rajonit dhe komunitetit euro-atlantik. Për këtë, ka kërkuar ndërhyrjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)