play_arrow

keyboard_arrow_right

Listeners:

Top listeners:

skip_previous play_arrow skip_next
00:00 00:00
playlist_play chevron_left
volume_up
chevron_left
  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM SHQIPËRI

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË

  • cover play_arrow

    LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP

Politikë

Nga vota e diasporës, te Kodi e krimi zgjedhor, paralajmërimi i Ilirjan Celibashit! Kryekomisioneri tregon prioritet e KQZ-së: Ja thirrja për emigrantët

today20/01/2025

Background
share close

Shqipëria ka hyrë në periudhën zgjedhore, ndaj KQZ-ja ka një program të qartë për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tregon për gazeta “Panorama” hapat që po ndjek KQZ-ja, ku sipas tij, aktualisht ka marrë një prioritet të shtuar përgatitja e votimit nga jashtë. Ai flet për votën e diasporës, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, mundësinë e përdorimit të fondeve publike në fushatë, si dhe krimet zgjedhore.

Ilirjan Celibashi u kujton aplikantëve që të tregojnë kujdes me dokumentin e adresës që ngarkojnë në PER dhe se do të ishte me dobi ndryshimi i afateve të regjistrimit të subjekteve zgjedhore, duke i larguar ato të paktën edhe me 10 ditë më shumë përpara datës së zgjedhjeve. “Në këtë mënyrë – thotë ai – do të kemi më shumë kohë për përgatitjen e dokumentacionit zgjedhor dhe dërgimin e tij te zgjedhësit jashtë”. Qeverisë i kujton se Kodi Zgjedhor, por edhe aktet nënligjore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë përcaktuar ndalimet për disa veprimtari publike të institucioneve shtetërore të niveleve të ndryshme. Ilirjan Celibashi tregon për problematikën dhe denoncimet e para…

Përgatitjet për zgjedhje deri tani janë sipas programit të punës të përgatitur nga KQZ-ja kohë më parë. Janë rreth 106 momente të rëndësishme të përgatitjes dhe zhvillimit të zgjedhjeve të 11 majit, të identifikuara si pjesë e programit të punës. Jemi duke ndjekur me skrupulozitet kalendarin e këtyre punëve.

 

Kush ka marrë aktualisht më tepër prioritet nga KQZ…? Cilat janë shqetësimet, apo problematikat e hasura deri më tani?

 

Aktualisht ka marrë një prioritet të shtuar përgatitja e votimit nga jashtë. Në datën 11 janar të këtij viti filloi procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për regjistrim në listën e votuesve nga jashtë është data 4 mars 2025. Nga të dhënat që mund të merrni nga faqja e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mund të konstatoni një numër relativisht të lartë të votuesve nga jashtë, që kanë aplikuar në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER). Shfrytëzoj rastin e kësaj interviste t’u sqaroj të gjithë aplikantëve që të tregojnë kujdes me dokumentin e adresës që ngarkojnë në PER. Veçanërisht për zgjedhësit aplikues nga Italia, të cilët preferojnë të ngarkojnë në PER dokumentin italian të identifikimit. Në rastin kur këta zgjedhës ngarkojnë dokumentin italian të identifikimit, të sigurohen që kanë ngarkuar anën që përmban adresën dhe jo anën tjetër të dokumentit. Ky është një gabim masiv i këtyre zgjedhësve.

Për herë të parë emigrantët shqiptarë do të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë në zgjedhjet e 11 majit. Si do të garantohet vota e emigrantëve?

Votimi nga jashtë është një zhvillim historik për zgjedhjet në Shqipëri. Sikurse e thashë që në krye të herës, tani ka filluar procesi i regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë. Procesi po shkon mirë. Ka fluks të shtuar të atyre që duan të votojnë nga jashtë. Kjo është pozitive, pasi është tregues edhe i besimit që zgjedhësit nga jashtë kanë në proces. Fleta e votimit do t’i dërgohet personalisht çdo zgjedhësi të regjistruar në listën e zgjedhësve nga jashtë, pavarësisht shtetit ku ai ka vendqëndrimin. Kostot e dërgesës postare në vajtje dhe në ardhje do të paguhen nga shteti shqiptar. Zgjedhësi nuk do të paguajë asgjë. Siguria e integritetit të zarfit të fletës së votimit është e plotë. KQZ-ja synon të zgjedhë një operator të njohur ndërkombëtar të shërbimit postar për dërgimin dhe marrjen mbrapsht të fletëve të votimit.

Ata emigrantë shqiptarë me dokumente të huaja që nuk kanë dokument ID nuk votojnë dot?

Jo, nuk votojnë dot. Nëse e ke të skaduar, mund të regjistrohesh, por gjatë 120 ditëve duhet ta rinovosh dokumentin. Gjithashtu, do të duhet të ngarkosh një dokument që përmban adresën që do të ngarkosh në sistem. Nëse është në punë, një dokument pune, një dokument pronësie, një kontratë qiraje. Duhet të deklarosh adresën ku pret të të vijë fleta e votimit. Gabimi që ka bërë një shumicë dërrmuese është se kanë deklaruar një adresë, por dokumenti që kanë ngarkuar, ka një adresë tjetër.

PD-ja dhe PS-ja larg vëmendjes së medias janë drejt një pakti për ndryshimin e Kodit Elektoral. Amendimet e opozitës, që do të dorëzohen me nisjen e sesionit parlamentar, i mundësojnë çdo shtetasi shqiptar që nuk ka një dokument identifikimi vendës të votojë me atë të shtetit ku jeton. Sa e mundur është kjo?

Nuk di të them se si palët politike do t’u përgjigjen me ndryshime ligjore propozimeve respektive. Do të shohim çfarë do të ndodhë me fillimin e sesionit parlamentar të këtij viti.

Një ndër to është afrimi me 10 ditë i afateve të regjistrimit të subjekteve politike, kandidatëve dhe koalicioneve, në mënyrë që fleta e votimit të prodhohet më shpejt, për t’i dhënë më shumë kohë postës për kthimin e zarfit me votën e emigrantëve brenda afatit zyrtar. A është e realizueshme?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se do të ishte me dobi, ndryshimi i afateve të regjistrimit të subjekteve zgjedhore, duke i larguar ato të paktën edhe me 10 ditë më shumë përpara datës së zgjedhjeve. Në këtë mënyrë do të kemi më shumë kohë për përgatitjen e dokumentacionit zgjedhor dhe dërgimin e tij te zgjedhësit jashtë.

Gjithashtu, pjesë e amendimeve pritet të jetë edhe reflektimi në Kod, që koston e kthimit të fletës së votimit ta marrë përsipër shteti dhe jo emigranti….

Po, edhe ky ndryshim duhet të akomodohet për t’i hapur rrugë KQZ-së që ta kryejë pagesën e të gjitha kostove të shërbimit postar.

Nga 11 janari, çdo institucion qeveritar dhe bashkiak e ka të ndaluar të bëjë promovime, të presë shirita apo të japë bonuse për qytetarët, pasi kjo konsiderohet shkelje e Kodit Zgjedhor. Si do t’i ruajë KQZ-ja politikanët…?

Kodi Zgjedhor, por edhe aktet nënligjore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë përcaktuar ndalimet për disa veprimtari publike të institucioneve shtetërore të niveleve të ndryshme. Ka një interes të shtuar të këtyre institucioneve për të kuptuar cilat janë këto ndalime. KQZ-ja në partneritet edhe me organizata të shoqërisë civile ka zhvilluar trajnime të personelit të angazhuar me raportimet e veprimtarive publike. Nuk mund të jap opinione në përgjithësi për raste të veçanta, pasi kjo nuk më lejohet. Por, nëse ka shqetësime të përcjella në KQZ, për to do të ketë vendimmarrje përkatëse.

Gjatë kësaj periudhe a kanë mbërritur denoncime për këtë problematikë…?

Aktualisht ka 2-3 denoncime për problematika të pretenduara të sjelljes së institucioneve publike, të cilat Komisioni Qendror Zgjedhjeve i ka vendosur në proces shqyrtimi administrativ.

Pavarësisht kësaj, opozita shprehet se pushteti vazhdon të shpërndajë para, mbledh karta identiteti për të mos lejuar votimin e kundërshtarëve, jep leje, licenca, shpall investitorë strategjikë, shpërndan bonuse për pensionistët para zgjedhjeve, jep shtëpi sociale, po përdor për fushatë burimet publike, përfshirë edhe ambasadat…

Për çfarë do të kërkohet të vendoset nga Komisioni Qendror Zgjedhor për çështje të tilla, do të adresohet sikurse janë përcaktimet e ligjit. Nuk do të ketë hezitim për këtë çështje me rëndësi për standardin e zgjedhjeve.

Shkeljet e këtyre rregullave nga shumë eksponentë në zgjedhjet e shkuara detyruan KQZ-në që të gjobiste shumë drejtues institucionesh, deputetë apo kryetarë bashkish. Sa të bindur jeni se ligji do të frenojë shkeljet këtë herë?

Po punojmë me të gjithë aktorët për të rritur ndërgjegjësimin e përfaqësuesve publikë për respektimin e rregullave në lidhje me sjelljen e institucioneve publike në periudhë zgjedhore. E thashë edhe më sipër, ka një interes të shtuar nga institucionet për të kuptuar limitet e sjelljes së tyre në periudhën zgjedhore. Ajo çfarë është e rëndësishme të kuptohet prej tyre është dallimi midis asaj që është veprimtari normale e përditshme, sipas fushës së përgjegjësisë së ngarkuar nga ligji me aktivitet politike. Këto dy kategori nuk mund të përzihen. Dhe në rastin e një veprimtarie politike apo elektorale, nuk mund të angazhohen asete publike në asnjë formë apo mënyrë.

Opozita ka shqetësim të sajin moshetimin dhe dënimin e krimeve zgjedhore. Mosveprimi, a besoni se e shpërhap këtë fenomen?

Duhet veprim energjik i të gjitha institucioneve kundër paligjshmërive në procesin zgjedhor. Secili prej nesh e ka të mirëpërcaktuar kompetencën e vet në lidhje me këto paligjshmëri. Mjafton t’i përmbushim këto përgjegjësi. KQZ-ja ka ndërtuar një program të ndërgjegjësimit përsa u përket krimeve zgjedhore. Me siguri organet që kanë juridiksion shqyrtues mbi to, do të kenë fokus të shtuar në këto zgjedhje.

Misioni i ODIHR-it ka apeluar për vëmendje te financimi i fushatës, zbatimi i teknologjisë e mbulimi nga mediat dhe platformat “online”… Çfarë po bëhet në këtë drejtim?

Ka qenë e dëshirueshme që partitë politike dhe Kuvendi të adresonin disa shqetësime në lidhje me financimin e fushatës. Për fat të keq disa rekomandime të KQZ-së, por edhe të disa organizatave të shoqërisë civile nuk u konsideruan në ndryshimet e bëra në korrikun e vitit që shkoi. Ajo çfarë po bën KQZ-ja në këto kushte lidhet me përmirësimin organizativ të strukturës që mbikëqyr financimin e partive dhe të fushatave. Për sa i përket teknologjisë, identifikimi biometrik do të aplikohet për herë të tretë në shkallë vendi. Për fat të keq, votimi elektronik nuk do të ketë shtrirje më shumë se sa deri tani. Nuk ishte konsensusi i plotë i të gjitha palëve politike për ta kryer votimin elektronik në të gjithë qarkun e Tiranës. Në këto kushte, do të ngelemi përsëri në pilotimin e këtij votimi në disa njësi administrative.

A besoni se këto zgjedhje do të jenë të lira dhe demokratike dhe se vota e shqiptarëve do të lexohet ashtu siç do të hidhet në kuti më 11 maj?

Po, me siguri!

Written by: Sasha Ndreka

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



0%