Shqipëria gjithnjë e më shumë po tërheq vizitorët e huaj si destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale shifrat e vizitorëve të huaj gjatë periudhës janar-nëntor.
“Lajmet e mira të turizmit vijnë edhe për muajin nëntor , me shtimin e vizitorëve të huaj +46,8% krahasuar me një vit më parë, e në total 7,1 milionë nga janari në nëntor, rekord i të gjithë viteve” shkruan zonja Kumbaro.
Sipas ministres Kumbaros, Shqipërinë e vizituan në nëntor të këtij viti 358 350 vizitorë të huaj, ndërsa në nëntor të 2021 244 061.
“Në periudhën janar-nëntor të 2022 vendi ynë tërhoqi 7 152 242 vizitorë të huaj, ndërsa vitin e kaluar 5 421 240. Pra, 31.9% vizitorë më shumë se një vit më parë”, u shpreh ministrja.
Shqipëria është e pasur me bukuri natyrore, si peizazhet malore dhe bregdeti mahnitës, të cilat i gjejmë shpesh edhe në guidat e revistat më prestigjioze në botë. Por, përveç këtyre, një vend të veçantë po zë gjithnjë e më shumë turizmi kulturor, ku muzetë dhe kalatë e shumta anembanë Shqipërisë po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.
Post comments (0)