Cristiano Ronaldo është bërë njeriu i parë në botë që ka mbledhur 400 milionë ndjekës në Instagram. 37-vjeçari vijon të thyejë rekorde edhe jashtë fushës së blertë. Në shtator 2021, ai kishte 237 milionë ndjekës, dhe u bë njeriu më i ndjekur në këtë rrjet social, por që prej atëherë, numri është rritur ndjeshëm.
Në total, superylli portugez ka bërë 3242 postime, dhe ka mesatarisht 10 milionë pëlqime për postim. Ai vetë ndjek vetëm 501 llogari në Instagram, mes të cilave atë të Rita Orës, Jennifer Lopez, Will Smith, Pele, Mike Tyson, e shumë kolegëve të fushës së blertë, si Mbappe, Haaland, etj.
Pas tij, në renditjen e njerëzve më të ndjekur në Instagram, vjen Kylie Jenner, me 308 milionë ndjekës, ndërsa Lionel Messi mban vendin e tretë me 306 milionë.
Ronaldo kryeson gjithashtu listën e personaliteteve që fitojnë miliona nga Instagram, pasi paguhet më shumë nga të gjithë për një postim në llogarinë e tij në këtë rrjet social. Sipas kompanisë së marketingut, Hopper HQ, sulmuesi i Portugalisë paguhet 1,6 milionë dollarë për një postim, duke kaluar në këtë renditje yllin e kinemasë, Dwayne “The Rock” Johnson.
Post comments (0)