Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today02/09/2022
Në samitin e radhës për Ballkanin e Hapur që zhvillua në Beograd me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve partnere të nismës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, si dhe me pjesëmarrjen me statusin e të ftuarit të Turqisë dhe Hungarisë, u nënshkruan disa marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi mes vendeve themeluese të Nismës, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
-Marrëveshja për sigurinë ushqimore midis Republikës së Serbisë, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.(Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e bujqësisë së vendeve përkatëse)
-Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e kinematografisë dhe aktiviteteve audiovizive në Ballkanin Perëndimor.(Marrëveshja u nënshkruan nga ministrat e kulturës së vendeve respektive)
-Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e minierave dhe Energjisë.(Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrat e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë dhe Serbisë)
-Plani ndër operativ në fushën e emergjencave civile mes Republikës së Serbisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.(Marrëveshja u nënshkrua ndërmjet Zëvendës ministrit dhe kreuttëDepartamentit të Emergjencave, Serbi, Zëvendësdrejtorittë emergjencave civile të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile të Shqipërisë)
Rama: Na presin 7 muaj të vështirë, do t’i kërkojmë mbështetje financiare BE-së për energjinë
Kryeministri Edi Rama thotë se 3 shtetet që janë pjesë e Ballkanit të Hapur, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, do të ndihmojnë njëri-tjetrin gjatë muajve të këtij dimri për shkak të krizës energjetike.
Pas firmosje së marrëveshjeve, Rama tha se përpara janë 7 muaj të vështirë dhe fatura për energjinë që Shqipëria parashikohet të ketë është rreth gjysmë miliardi Euro.
E në këtë aspekt, Kryeministri shqiptar tha se së bashku me Presidentin serb Vuçiç dhe Kryeministrin maqedonas Kovaçevski, do t’i drejtohen me një letër Bashkimit Europian për t’i kërkuar mbështetje financiare për përballimin e krizës energjetike.
FJALA E KRYEMINISTRIT EDI RAMA GJATË KONFERENCËS PËR SHTYP PAS NËNSHKRIMIT TË MARRËVESHJEVE:
Dje ka qenë dita më e bukur e Ballkanit të Hapur. Mund të kishte qenë një ditë tipike e keqe për Ballkanin në tërësi dhe në vend se të hapnim dyert për njerëzit e punës, për njerëzit e tokës, për njerëzit e prodhimit të ushqimit dhe për shumë të tjerë nga e gjithë bota, mund t’i kishim hapur dyert një lajmi tjetër të keq, për tension, për konflikt etj. Fatmirësisht ka ndodhur e para. Ky është Ballkani i Hapur dhe kjo është zgjedhja që kemi bërë. Të shikojmë përpara, të afrojmë sa më shumë njerëzit me njëri-tjetrin, të kuptojmë sa më mirë njëri-tjetrin, të krijojmë mundësi për t’u futur në këpucët e njëri-tjetrit dhe gjërat që kemi për të zgjidhur t’i zgjidhim me durim, mirëkuptim, por pa harruar se kemi kaq shumë gjëra për të cilat mund dhe do duhet të bashkëpunojmë.
Ky dimër ka gjasë të jetë dimri më i vështirë që kemi hasur në gjithë këto vite dhe këtu në Ballkan nuk është se kemi pasur dimra të lehtë. Sot që flasim në Kosovë ka orë të tëra ndërprerje energjie. Ky është fakt. Ndërkohë edhe në vende si Britania, Franca, Gjermania po paraqiten plane shkurtimesh të energjisë elektrike. Plane që përfshijnë fikjen e dritave pas orës 22:00 në rrugë, vitrina të dyqaneve, që do thotë mbyllje të çdo aktiviteti, restorantesh, baresh, klubesh për të kursyer energji. Ndërkohë kemi diskutuar çfarë po na kushton mosçuarja e kësaj krize mbi shpatullat e qytetarvë. Kjo është një nga marrëveshjet që kemi bërë sot, është konkrete për të marrë hapa konkretë. Në Shqipëri kemi marrë një vendim për të mos e prekur çmimin e energjisë elektrike për konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël dhe sot vazhdojmë kemi të njëjtin çmim siç kemi pasur përpara se të shfaqej kriza. Por kjo do të thotë qindra miliona Euro që dalin nga arka e shtetit për të mbuluar shpenzimin, koston. Këtu çështja është sa gjatë do vazhdojë kjo histori. Mund të kesh edhe paratë por mund të mos kesh energjinë për ta blerë. Përfitoj nga rasti që t’ja drejtoj përsëri BE apelin që të mos bëjë me ne turpin që bëri në kohën e pandemisë.
Vendet e Ballkanit u detyruan të vraponin në Kinë, Rusi, Turqi për të filluar operacionin e shpëtimit të infermierëve, mjekëve e të tjerëve me radhë me vaksinim, sepse BE u mbyll dhe pa vetëm brenda mureve të kështjellës së vetë. Ja ku jemi sot, BE është mbledhur dhe po flet për të mbështetur vendet me ekstra fonde për të përballuar këtë çmenduri. Vendet e BE kanë buxhetet e tyre por kanë dhe buxhetin e tyre të BE. Ne do ju drejtohemi dhe me shkrim Brukselit dhe vendeve anëtare, të tre së bashku, për t’i kërkuar të njëjtën gjë për ne, një mbështetje financiare ekstra përveç mbështetjes tonë buxhetore. Parashikimet që ne kemi ndarë për shpenzimet janë marramendëse. Kemi përpara 7 muaj shumë të vështirë. Për Shqipërinë kjo do të thotë afro gjysmë miliardi Euro që do shkojë për të mbajtur sistemin, për të vazhduar furnizimin me energji. Shpresojmë që të na dëgjojnë dhe të mund të jemi dhe ne pjesë e ndarjes së kësaj përgjegjësie.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)