Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today12/09/2024
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog.
Begaj i uroi homologut Herzog mirëseardhjen në vizitën e parë të një Presidenti të Izraelit në Shqipëri.
Bashkëpunimi dypalësh, zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosova, situata në Lindjen e Mesme dhe çështjet e sigurisë kibernetike ishin në fokus të bisedës kokë më kokë.
Presidenti Begaj, e konsideroi këtë vizitë si një mundësi të shkëlqyer për gjetjen e mundësive të reja të forcimit të bashkëpunimit, duke shprehur përkushtimin e tij dhe të Shqipërisë në këtë drejtim.
Ai theksoi: “Shqipëria dhe Izraeli janë vende mike që ndajnë momente historike unike, të cilat na bashkojnë përgjithmonë. Çdo shqiptar është krenar kur kujton mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
Sipas Presidentit të Republikës, të njëjtat ndjenja ndajnë edhe shqiptarët në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe, në këtë aspekt, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli është një vendim shumë i rëndësishëm gjeopolitik, me ndikim pozitiv rajonal.
Për sa i përket zhvillimeve në Ballkan, Presidenti i Republikës u shpreh se për shkak të pozicionimit gjeopolitik, rajoni është i prekshëm ndaj kërcënimeve, duke përfshirë terrorizmin dhe ekstremizmin, migracionin, kërcënimet hibride, sigurinë kibernetike dhe praninë e aktorëve të tretë destabilizues.
“Shqipëria, i mbetet mirënjohëse Izraelit për kontributin e dhënë për të rritur kapacitetet e saj të mbrojtjes kibernetike në rrethana shumë të vështira dhe kritike pas sulmeve kibernetike të Iranit në vitin 2022”, theksoi Begaj.
Gjatë takimit, krerët e dy shteteve biseduan për zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme, për të cilat Begaj rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë.
“Shqipëria ka dënuar fuqishëm dhe pa mëdyshje sulmet terroriste të 7 tetorit 2023 nga Hamasi kundër Izraelit. Kjo është e paprecedentë dhe nuk mund të justifikohet me asgjë”, u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar se Shqipëria ka dënuar ashpër rrëmbimin e civilëve, grave, të moshuarve dhe fëmijëve, si dhe ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të civilëve të pafajshëm.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)