Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today28/04/2022
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj, ka njoftuar se nga data 1 Maj, edhe Bashkia e Tiranës do të nisë ofrimin e shërbimeve online në njësitë administrative. Nga 60 zyra që funksionojnë aktualisht në shërbim të qytetarëve, Veliaj tha se do të mbyllen 40 të tilla dhe do të qëndrojnë të hapura vetëm shërbimet utilitare, të cilat s’mund të ofrohen online, si celebrime, betime etj.
“Do ta shfrytëzojmë çdo ditë, deri në datën 1 Maj, për të komunikuar këtë platformë të re të mbylljes së sporteleve fizike në Bashkinë e Tiranës, të cilat u marrin kohë njerëzve. Shumë prej shërbimeve që ofrohen në to, do të merren online. Dua që secili prej jush të komunikojë në zonën ku shërben si anëtar i Këshillit Bashkiak, për të gjitha këto shërbime, të cilat mund t’i marrë nga shtëpia vetëm me një ‘click’, pa qenë nevoja të vish në dyert e bashkisë apo Njësisë Administrative”, u shpreh Veliaj.
Sipas tij, është mëkat që qytetarët të harxhojnë kohë në radhë të panevojshme për shërbime që janë zgjidhur nga teknologjia. “Koha është ajo që vlen më shumë për secilin prej nesh, është e vetmja gjë që s’mund ta kthejmë dot mbrapsht. Nëse mbledhim orët e radhëve të pritjes në një vit, mund të jenë mjaftueshëm ditë për të bërë shumë gjëra. Por ne i harxhojmë duke pritur në radhë të panevojshme. Tani shërbimet i merr nga celulari,” deklaroi ai.
Veliaj nënvizoi gjithashtu faktin se nuk do të ketë reduktim të numrit të punonjësve në zyrat e shërbimeve, pasi ata tashmë janë trajnuar dhe do të kalojnë për të shërbyer online.
“Ka shërbime të cilat nuk i kryejmë dot online, siç janë për shembull celebrimet martesore, ku duhet të jenë prezentë çifti dhe dy dëshmitarët, kurse shkëmbimi i premtimeve duhet të administrohet nga kryetari i Bashkisë ose kryetari i Njësisë Administrative. Po ashtu, edhe betimi i shtetasve të huaj që marrin shtetësinë shqiptare nuk mund të kryhet online sepse personi duhet të betohet fizikisht para kryetarit të Bashkisë për besnikëri ndaj Kushtetutës të Shqipërisë. Por, marrja e një certifikatë lindjeje, një certifikatë martesore, një certifikatë e trungut, vërtetime që janë tashmë pjesë e databazës së e-Albania, mund të merren fare lehtë online,” u shpreh ai.
Dokumentet që do të ofrohen online nga 1 Maji nga zyrat e gjendjes civile janë:
1. Certifikatë personale prej 2010 e në vazhdim
2. Certifikatë familjare aktuale prej 2010 e në vazhdim
3. Certifikatë nga akti i lindjes prej 2010 e në vazhdim
4. Certifikatë nga akti i martesës prej 2010 e në vazhdim
5. Certifikatë nga akti i vdekjes prej 2010 e në vazhdim
6. Deklarim i adresës së shtetasve shqiptare që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë
7. Aplikim për ndryshim/saktësim vendbanimi
8. Kërkimi i qendrës së votimit (QV)
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)