Rezultatet e anketës treguan se më shumë se 40% e të rinjve që nuk kanë qenë ende jashtë vendit duan të largohen në të ardhmen, veçanërisht gratë e reja
Më shumë se një e treta e të rinjve (36%) ushqejnë një dëshirë të fortë për të lënë vendin. Midis tyre, 11% do të largohen brenda 6 muajve të ardhshëm.
Faktori kryesor që shtyjnë të rinjtë të largohen janë standardet më të larta të jetesës dhe kushte më të mira për punë.
Më shumë se 28% e atyre që duan të largohen nuk mendojnë të rikthehen sërish në Shqipëri.
Studimi theksoi se arsimi konsiderohet si një nga çështjet më të rëndësishme për rininë shqiptare. Në kushtet e një ekonomie tregu globale ku mbizotërojnë aftësitë e shumëfishta dhe tregu fleksibël i punës po bëhet realitet, arsimi po kthehet në një mjet shumë të vlefshëm.
Ai po merr një rëndësi të madhe, veçanërisht në ditët e sotme, kur të rinjtë po përballen me sfidat e Revolucionit të Katërt Industrial ose të së ashtuquajturës Ekonomia 4.0, e drejtuar nga novacioni i teknologjisë së informacionit dhe ndikimi i paparashikueshëm i Inteligjencës Artificiale në shumë profesione.
Shumica e të rinjve shqiptarë ende vazhdojnë të shohin arsimimin jashtë vendit si mundësinë më të mirë, dhe kjo kërkon hapa të shpejtë për masa konkrete në lidhje me cilësinë e arsimit brenda vendit.
Studimi më vë në dukje se shoqëria shqiptare është polarizuar dukshëm nga pikëpamja e pasurisë për shkak të një periudhe të ashpër tranzicioni, me një kapitalizëm kaotik pa rregulla të qarta dhe pa konkurrencë tregu.
Në këtë mënyrë, statusi social i të rinjve duket se vendoset kryesisht në bazë të fuqisë së parave dhe jo të punës e kontributit të vërtetë vetjak për të mirën e përbashkët.
Të dhënat nxjerrin në pah faktin se të rinjtë përballen me fenomene të dhunës dhe të kriminalitetit, që shpesh ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës së tyre dhe në besimin që kanë tek institucionet, veçanërisht ato të drejtësisë.
Pavarësisht se ata besojnë te forca e tyre si një instrument ndryshimi brenda shoqërisë, kjo mbetet më shumë një vetë-ndërgjegjësim sesa një bindje e shfaqur përmes veprimeve./
Post comments (0)