Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
today01/10/2025
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe aktualisht ministër i Financave në Norvegji, Jens Stoltenberg, ka rrëfyer momentet e tensionuara përgjatë drejtimit të tij dhjetëvjeçar në krye të aleancës më të madhe ushtarake në botë. Në kujtimet e publikuara së fundmi në librin “Nën komandën time” (“På min vakt”), Stoltenberg tregon se gjatë samitit të NATO-s në vitin 2018, ai pati menduar se mund të ishte fundi i aleancës.
Gjatë atij samiti, presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi hapur se Shtetet e Bashkuara do të largoheshin nga NATO nëse vendet evropiane nuk rrisnin ndjeshëm kontributet e tyre financiare për mbrojtjen kolektive. Ai shprehu pakënaqësi për faktin që shumica e anëtarëve nuk e përmbushnin detyrimin për të shpenzuar të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.
“Nuk jam i kënaqur”, u shpreh Trump. “O e kaloni kufirin prej 2% brenda disa muajve, deri më 1 janar, ose do të detyrohemi të ndjekim rrugën tonë. Nuk kemi zgjidhje tjetër.”
Delegacioni amerikan ishte gati të largohej nga Brukseli dhe presidenti lexoi me zë të lartë shifrat e kontributit të çdo shteti, duke shprehur pakënaqësinë e tij për secilin.
Një plan shpëtimi në prapaskenë
Përballë këtij skenari, Stoltenberg kishte përgatitur një plan rezervë. Ai kishte rënë dakord me atëherë-kryeministrin holandez, Mark Rutte (që tani e ka pasuar në postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s), që ky i fundit të përmendte rritjen prej 33 miliardë dollarësh të shpenzimeve për mbrojtjen në vitin 2017 – duke ia njohur meritën Trump-it. Ky veprim, sipas Stoltenberg, shpëtoi aleancën.
“Ia dolëm. Të gjithë ndjemë një lehtësim të madh”, shkruan ai.
Nga Siria te Ukraina, nga Trump te Hamas: Një dekadë krizash
Në kujtimet e tij, Stoltenberg ndalet edhe te krizat dhe ngjarjet madhore gjatë mandatit të tij: ndërhyrja në Siri, lufta në Ukrainë, anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO, sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe marrëdhëniet me liderë të ndryshëm botërorë, përfshirë Donald Trump, Angela Merkel dhe Emmanuel Macron.
Merkel, sipas tij, e këshilloi që të mos ndiqte gjithnjë linjën amerikane, por më pas e kritikoi se i kishte dhënë shumë peshë SHBA-së. Ndërkohë, për Francën, Stoltenberg shprehet se gjatë viteve 2021–2022, Parisi “punoi intensivisht për ta dëmtuar personalisht”, për shkak të mbështetjes që i dha projektit të mbrojtjes së përbashkët evropiane.
Putini dhe Rusia: Një botë ndryshe
Në një nga takimet e tij të para si Sekretar i Përgjithshëm, Stoltenberg citon një bisedë me ish-kryeministrin rus Dmitry Medvedev, i cili tha:
“Nuk kam frikë nga Merkel apo Obama. Por nga ata që vijnë pas tyre.”
Sipas Stoltenberg, ky ishte një shembull i mënyrës se si Rusia e sheh ndryshe botën, në krahasim me perëndimin.
Trump: Jam një fans i madh i NATO-s, por me kushte
Një nga marrëdhëniet më të vështira për të menaxhuar, sipas Stoltenberg, ishte ajo me Trump-in. Ai kujton se pas zgjedhjes së tij si president, u desh kohë që të siguronte një kontakt me Shtëpinë e Bardhë.
“Më thanë që isha në një listë prej 25 personash për t’u rikthyer në telefon. Por personi që kishte bërë listën, ishte pushuar nga puna.”
Kur më në fund folën, Trump i tha se ishte një “fans i madh i NATO-s”, por këmbënguli që aleatët evropianë duhet të kontribuonin më shumë financiarisht. Gjatë takimit të tyre të parë, Stoltenberg rrëfen se ishte i habitur nga normaliteti i shtrëngimit të duarve me Trump-in – duke shtuar me ironi se presidenti amerikan dukej më i interesuar për fatin e modeles norvegjeze Celina Middelfart, sesa për marrëdhëniet SHBA-NATO.
Trump kishte vënë në dyshim edhe rëndësinë e Islandës si anëtare e NATO-s, duke pyetur: Çfarë vlere ka?
Ai kishte ngritur shqetësime edhe për Norvegjinë, duke pretenduar se nuk kontribuonte sa duhet.
“Nëse do një mbulim të plotë, duhet të paguash të gjithë primin”, citon Stoltenberg logjikën e Trump-it.
Një botë më pak e parashikueshme
Në përmbyllje të librit, Stoltenberg shprehet: Kur erdha në NATO në vitin 2014, bota ishte më e sigurt. Dhjetë vjet më vonë, ka më shumë luftëra, më shumë rivalitete mes fuqive të mëdha, dhe shumë më pak parashikueshmëri. Kjo ndodhi nën komandën time.”
Botimi i këtyre kujtimeve ka ngjallur debate në Norvegji, ku disa pyesin nëse zbulimi i anekdotave të ndjeshme diplomatike mund të sjellë pasoja politike për ish-kreun e NATO-s.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)