play_arrow

keyboard_arrow_right

Listeners:

Top listeners:

skip_previous skip_next
00:00 00:00
playlist_play chevron_left
volume_up
  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM SHQIPËRI

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË

  • cover play_arrow

    LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP

Politikë

Irini Shehu: “Nuk jam financuar në fushatë sa kolegët e mi burra”  

today28/04/2025

Background
share close

Intervistë mbi financimin e fushatës zgjedhore, me Irini Shehun, Kryetare e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Dibër.

Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, vëmendja kthehet sërish te një çështje e kahershme, por shpesh e anashkaluar në procesin tonë demokratik: aksesi i barabartë në financimin e kandidatëve të partive politike. Edhe pse fushatat zënë kryetitujt, përvoja e kandidatëve në këshillat bashkiakë, veçanërisht e grave, tregon një panoramë të qartë mbi pengesat që vazhdojnë të ndikojnë pjesëmarrjen e tyre politike.

Rasti i Irini Shehut, Kryetare e Këshillit Bashkiak të Dibrës, është një pikënisje domethënëse për këtë diskutim. Historia e saj është përfaqësuese e shumë grave kandidate të cilat, pavarësisht mbështetjes së fortë nga komuniteti dhe kredibilitetit profesional, përballen me mungesë të barazisë në mbështetjen financiare nga partitë politike, krahasuar me kolegët e tyre meshkuj. Këto pabarazi ndikojnë jo vetëm në dukshmërinë dhe efektivitetin e fushatave, por gjithashtu nxisin pyetje thelbësore mbi transparencën, drejtësinë dhe sfidat brenda sistemit të financimit politik.

Duke reflektuar mbi mësimet e nxjerra nga zgjedhjet lokale, mund të kuptojmë më mirë boshllëqet që duhen adresuar për të garantuar një terren të barabartë në politikën kombëtare. Ky artikull hedh dritë mbi këto sfida përmes përvojës së Irinit dhe bën thirrje për më shumë vëmendje dhe reforma në mënyrën se si fondet e partive politike shpërndahen dhe aksesohen në politikë.

Intervistë:

  1. A mund të na tregoni pak më shumë rreth fushatës tuaj elektorale dhe objektivave që kishit për të arritur gjatë periudhës së fushatës?

Fushata ime elektorale ishte e fokusuar në promovimin e vlerave të shëndetit dhe mirëqenies për komunitetin tim. Objektivat e mia kryesore ishin përmirësimi i kushteve të shëndetit në zonën tonë, krijimi i mundësive për më shumë shërbime mjekësore, dhe siguria e një mjedisi më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët. Përpjekjet ishin të orientuara në ndihmën e çdo qytetari, duke përfshirë dhe sigurimin e mbështetjes për ata që janë në nevojë.

  1. Si e financuat fushatën tuaj elektorale? A keni marrë mbështetje financiare nga partia politike që përfaqësoni?

Fushatën time e kam financuar kryesisht nga buxheti i partisë që përfaqësoj, por nuk ka qenë një mbështetje aq e madhe krahasuar me kolegët e mi burra. Megjithatë, mund të them se mbështetja ka qenë e mjaftueshme për të mbuluar disa nga shpenzimet e nevojshme të fushatës. Ne jemi komunitet I vogël dhe më të shumta takimet kanë qenë në terren, pa patur nevojën e ndonjë shpenzimi kolosal.

  1. A keni pasur mundësi të siguronit financime nga burime të tjera përveç partisë, si nga donatorë të pavarur apo individë të tjerë?

Për fat të keq (ose të mirë nuk e di), nuk kam patur mundësinë të siguroj mbështetje financiare nga individë apo burime të tjera përveç partisë politike.

  1. Si mjeke e njohur në zonën tuaj, a mendoni se popullariteti juaj në këtë fushë ka ndikuar në mbështetje financiare dhe në mënyrën si është organizuar fushata juaj?

Si mjeke, kam ndjerë një mbështetje të konsiderueshme nga komuniteti, por kjo nuk ka pasur ndikim të madh në mbështetjen financiare. Popullariteti im ka ndihmuar në krijimin e një lidhjeje emocionale me qytetarët dhe ka rritur besimin e tyre tek unë si kandidate, por për shkak të burimeve të kufizuara, mbështetja ime financiare nuk ka qenë në nivelin e kolegëve të mi burra që mund të kenë pasur më shumë mundësi financiare, plus dhe burime të tjera.

 

  1. A keni përdorur ndonjëherë shërbimet apo mbështetjen e kolegëve tuaj mjekë për fushatën, dhe si janë menaxhuar këto raporte në lidhje me etikën profesionale dhe politikën?

 

Kam pasur mbështetje dhe bashkëpunim me kolegët e mi mjekë, por gjithmonë kam qenë e kujdesshme që kjo të mos përfshinte asnjë shërbim apo mbështetje që mund të dëmtonte etikën profesionale. Menaxhimi i këtyre raporteve ka qenë i ndjeshëm dhe gjithmonë i ndërgjegjshëm për ndarjen e qartë mes politikës dhe profesionit.

 

  1. Sa të vështira ishin procedurat e financimit të fushatës dhe a mendoni se janë të përballueshme për kandidatët e nivelit lokal si ju?

Procedurat e financimit të fushatës ishin mjaft të vështira, sidomos për kandidatët e nivelit lokal si unë, që kanë burime financiare të kufizuara. Shpesh ndodh që për të realizuar një fushatë të efektshme duhet të përballesh me barriera të konsiderueshme që lidhen me organizimin, shpërndarjen e materialeve dhe organizimin e takimeve me qytetarët.

 

  1. A ka pasur kufizime ligjore apo rregullore për përdorimin e fondeve për fushatën dhe si jeni siguruar që ato janë ndjekur?

Në përgjithësi, kam respektuar të gjitha rregullat dhe kufizimet ligjore për përdorimin e fondeve të fushatës. E kam siguruar që çdo financim dhe shpenzim të jetë i dokumentuar dhe i raportuar në mënyrë transparente. Megjithatë, duke pasur parasysh kufizimet financiare që kam pasur, shpesh ka qenë e vështirë të mbaj një nivel të lartë transparence siç mund ta bëjnë kandidatët me më shumë mbështetje financiare.

  1. Si e menaxhuat transparencën e fondeve dhe si i komunikoni qytetarëve se si janë shpenzuar ato gjatë fushatës tuaj?

Kam bërë çdo përpjekje për të siguruar që qytetarët të jenë të informuar mbi mënyrën se si janë shpenzuar fondet gjatë fushatës. Përveç raportimeve zyrtare, kam komunikuar me qytetarët përmes rrjeteve sociale dhe takimeve direkte për të siguruar që çdo shpenzim të jetë i qartë dhe i justifikueshëm. Kjo është një pjesë e rëndësishme për të ndihmuar në ruajtjen e besimit të qytetarëve.

 

  1. A mendoni se financimi i fushatës mund të ndikojë në mundësitë e kandidatëve të tjerë, veçanërisht ata që mund të kenë më pak mundësi financiare?

Padyshim, sidomos ata që kanë më pak mundësi financiare. Ndihma financiare është një faktor kyç për të realizuar një fushatë të suksesshme, dhe kandidatët që nuk kanë burime të mjaftueshme shpesh hasin vështirësi për të pasur një mundësi të barabartë për t’u prezantuar para qytetarëve.

 

  1. Si e shihni ndikimin e gjinisë në financimin e fushatës suaj krahasuar me kolegët tuaj meshkuj? A keni ndjerë ndonjëherë që mundësitë e financimit janë të ndryshme për ju si grua në politikë, krahasuar me ata që janë burra?

Në fushatën time, kam pasur vështirësi më të mëdha për të siguruar financimin, krahasuar me kolegët e mi burra. Ndonëse si grua në politikë kam pasur mbështetje të madhe nga komuniteti, gjithsesi, mundësitë për të siguruar fonde kanë qenë më të kufizuara. Shpesh kam ndjerë se mundësitë e financimit janë të ndryshme për gratë, dhe kjo mund të krijojë një disavantazh për ato që garojnë në politikë.

 

  1. Cilat janë disa mësime që keni nxjerrë nga eksperienca e financimit të fushatës dhe si mund të përmirësohet ky proces në zgjedhjet e ardhshme për të siguruar një konkurrencë më të ndershme?

Mendoj se është thelbësore të krijosh mundësi për mbështetje financiare më të barabarta për të gjithë kandidatët. Për të siguruar një konkurrencë të drejtë, procesi i financimit duhet të jetë më transparent dhe të ofrojë mundësi të barabarta për të gjithë, pa marrë parasysh mundësitë financiare të individëve ose ndasitë gjinore.

 

Reflektimet e Irini Shehut pasqyrojnë një realitet më të gjerë, të konfirmuar edhe nga studime të shumta: gratë kandidate përballen me barriera të shumta për të zhvilluar fushata elektorale të suksesshme. Sfida nuk qëndron vetëm në përfshirjen në listën zgjedhore të një partie, ajo fillon aty, por thellohet me mungesën e aksesit të barabartë në burimet financiare dhe logjistike që përcaktojnë fatin e një fushate.

 

Siç dëshmohet në raportin “Gjinia, Paraja dhe Politika” të Rrjetit të Grave “Barazi në Vendimmarrje”, me mbështetjen e NDI, 67% e kandidatëve në Shqipëri kanë deklaruar se janë detyruar të vetë-financojnë fushatat e tyre, ndërsa partitë politike shpesh kufizojnë mbështetjen vetëm në organizimin e eventeve të përgjithshme, duke ia lënë grave për “barrë” kostot konkrete të fushatës. Ky boshllëk tregon qartë se pabarazia gjinore në politikë nuk është thjesht çështje numrash, por e pushtetit dhe aksesit real.

 

Anshmëria e partive politike nuk shfaqet vetëm në përzgjedhjen e kandidatëve, por edhe në mënyrën si shpërndahen burimet. Gratë shpesh përjashtohen nga rrjetet e brendshme të partive që menaxhojnë financat elektorale dhe rrallë përfitojnë nga kanalet tradicionale të mbledhjes së fondeve. Këto dinamika krijojnë një formë të fshehtë, por të madhe të diskriminimit, që e bën të pamundur për gratë të konkurrojnë në kushte të barabarta.

 

Për ta adresuar këtë realitet, kuotat gjinore duhet të shoqërohen me mekanizma konkretë që garantojnë akses të barabartë në f politik. Vende si Mali i Zi tashmë kanë ndërmarrë hapa konkretë duke vendosur fonde publike të dedikuara për gratë në politikë, duke e lidhur shpërndarjen e fondeve me performancën dhe funksionimin e forumeve të grave brenda partive. Këto masa krijojnë një kombinim të shëndetshëm midis nxitjes dhe llogaridhënies, duke ndihmuar në kapërcimin e hendekut mes barazisë ligjore dhe aksesit praktik.

 

Ndërsa Shqipëria i afrohet zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, është koha e duhur jo vetëm për të reflektuar mbi mësimet e nxjerra nga zgjedhjet lokale, por edhe për të kërkuar reforma të guximshme, që u japin grave jo vetëm të drejtën për të kandiduar, por edhe mundësinë reale për të fituar dhe për të udhëhequr.

 

Intervistoi: Sashenka NDREKA

 

 

Written by: Sasha Ndreka

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *