Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
today14/11/2025
Një premtim që u kthye shpejt në realitet. Pas miratimit të vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së në mbledhjen e fundit, për të përfshirë fëmijët e Luginës së Preshevës në projektet “Uniforma ime” dhe “Topi Yt”, një delegacion shqiptar udhëtoi drejt kësaj treve për të bërë realitet ëndrrën e dhjetëra fëmijëve shqiptarë dhe për të vijuar mbështetjen e tyre.
Në total, 213 fëmijë të moshave U-9 dhe U-11 u regjistruan në sistemin Comet, platforma zyrtare ku regjistrohen të gjithë futbollistët shqiptarë. Po aq sete uniformash mbërritën në Preshevë dhe u dhuruan falas nga FSHF. Këto uniforma janë pjesë e një nisme më të gjerë, që këtë sezon, për të tretin radhazi do t’u mundësojë bazë materiale falas rreth 20 mijë fëmijëve futbollistë, nga mosha U-7 deri në U-19 në të gjithë Shqipërinë. Po ashtu, u dhuruan topa falas edhe për 15 ekipe fëmijësh në këtë zonë, në kuadër të projektit “Topi Yt”.
I pranishëm në këtë event ishte edhe ish-futbollisti i Kombëtares, Migjen Basha i cili theksoi në fjalën e tij se pajisja me uniforma falas për këta fëmijë është një simbol përkrahjeje. “Besoj që kjo hap dyert për bashkëpunimin me FSHF-në. Të gjithë këta çuna dhe goca kanë një ëndërr për të ardhmen. Është me rëndësi t’i përkrahim. Nuk është thjesht një dhuratë, por një simbol që tregon që jemi me ju dhe do t’ju përkrahim për të ardhmen. Ju uroj suksese të gjithëve”
Ardita Sinani, kryetarja e Komunës së Preshevës falënderoi Presidentin Duka dhe FSHF-në për këtë dhuratë. “Falënderoj Presidentin Armand Duka për interesimin dhe ndjeshmërinë e veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për futbollin që zhvillohet këtu. Sa më mirë e mbarë dhe që këta të rinjtë tanë në një të ardhme të afërt edhe mund të jenë lojtarë të Kombëtares tonë. Unë besoj fuqishëm që do dalin talente nga këta të rinj”.
Edhe kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti uroi që bashkëpunimi me FSHF-në të vazhdojë edhe më tej. “Pas nënshkrimit të marrëveshjes, këto janë frytet e para, rezultati i parë dhe uroj që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe një ditë këta fëmijë t’i shohim pjesë të Kombëtares shqiptare si kapiteni Gjimshiti. Falenderim të veçantë për ju, FSHF-në dhe Presidentin Duka. Uroj që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të sjellim projekte më të mira dhe më të mëdha për fëmijët tanë”.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)