Finalja e Superkupës së Shqipërisë uli siparin e vitit futbollistik në vend. Një kurorëzim që shkoi për Dinamon, skuadër që ka treguar stabilitet edhe në kampionat. Duke krahasuar 6 javët e fundit, kryeqytetasit kanë grumbulluar 13 pikë, duke qenë vetëm me dy pikë të distancuar nga kryesuesit, Egnatia.
Rrogozhinasit janë treguar tepër cinikë në përballjet e fundit, pasi në 18 të mundshme kanë “rrëmbyer” 15 pikë. Një ecuri e kënaqshme që e ka mbajtur në udhëheqjen e renditjes së kampionatit.
Partizani ndodhet në një formë të mirë me 10 pikë, duke ruajtur qëndrueshmëri dhe ekuilibër në lojë. Pesëshja e ekipeve më të mira të kësaj periudhe plotësohet nga Elbasani dhe Teuta, të cilat kanë grumbulluar respektivisht 9 dhe 7 pikë, duke treguar progres gradual dhe fitore të rëndësishme.
Në anën tjetër të tabelës së formës, situata paraqitet shqetësuese për disa skuadra. Tirana ndodhet në fund me vetëm 3 pikë nga 6 ndeshje, duke kaluar një nga periudhat më të dobëta të sezonit.
Rezultatet e paqëndrueshme dhe mungesa e fitoreve po e penalizojnë ndjeshëm ekipin bardheblu, që rrezikon jo pak rikthimin në Kategorinë e Parë pas vitesh mungesë.
Flamurtari dhe Vora kanë siguruar nga 5 pikë secili, por mungesa e vazhdimësisë po u kushton shtrenjtë në garën për ngjitjen në renditje.
Ndërkohë, Vllaznia dhe Bylis me nga 6 pikë po përballen me sfida të vazhdueshme, larg pritshmërive dhe pa mundësi reale për të përmirësuar pozicionin aktual. Diferencat në formë pritet të luajnë rol vendimtar në luftën për titull dhe mbijetesë në javët në vijim të Superiores, teksa shpresat janë edhe te afrimi i elementëve cilësorë në merkaton e janarit.
Post comments (0)