Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
today27/08/2025
Jannik Sinner është padyshim një nga sportistët më të suksesshëm të momentit, pasi mban numrin një në botë në tenis.
Italianit i është kushtuar një dokumentar, i titulluar “Rikthimi”, ku sillet rrëfimi i numrit një të botës në tenis, Jannik Sinner, i cili tregon historinë e tij personale dhe sportive, duke folur për sfidën më të madhe të karrierës dhe rikthimin në skenën më të lartë të këtij sporti. Dokumentari nis pas çështjes “Clostebol”.

Sinner kthehet pas në fillimet e karrierës së tij. Në vitin 2019, kur mbushi 18 vjeç, fitoi turneun e tij të parë Challenger dhe e mbylli vitin mes 100 më të mirëve. Ai fitoi edhe Next Gen Finals ATP. “Gjithçka ndodhi shumë shpejt,” – thotë ai. “Kam dashur gjithmonë të jem një kampion Slam. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme, por nuk e kam marrë kurrë asgjë si të mirëqenë.”

Një nga pjesët e dokumentarit lidhet me njoftimin e pezullimit. Një gazetar rrëfen: “Numri një i botës rezultoi me doping pas një masazhi nga fizioterapisti i tij, dhe një gjykatë vendosi që nuk kishte asnjë faj ose neglizhencë nga ana e Sinner. Ai ishte i lirë të luante ndërkohë që çështja ishte ende në shqyrtim.” Edhe vetë Jannik e kujton atë moment: “US Open i vitit 2024, me lajmin që erdhi vetëm pesë ditë më parë, ishte shumë i vështirë. Isha shumë nervoz. Disa njerëz më shikonin ndryshe. Nuk ishte e lehtë.”
Megjithatë, ai arriti ta fitonte turneun, duke thënë: “Fitorja në atë Slam ishte një arritje e jashtëzakonshme. Jashtë fushës mund të ndodhin shumë gjëra që nuk mund t’i kontrollosh, por brenda fushës ndihem i sigurt.”
Pas kësaj, dokumentari hyn në pjesën private të jetës së tij. Pamjet tregojnë fëmijërinë e Sinner në një fshat të vogël malor në Italinë e Veriut.

Ai thotë: “Nga jashtë ndoshta nuk dukem shumë emocional, por jam. Jam i ashpër me veten. Kam dyshime çdo ditë. Por më kujtohet puna që kam bërë për të ardhur deri këtu. Kam lindur në një familje të varfër. Babai im ishte kuzhinier, ndërsa mamaja punonte si kameriere në të njëjtin restorant. Në zonën ku u rrita, skitë ishin sporti më i rëndësishëm. Unë bëja shumë ski, luaja futboll dhe pak tenis. Por isha më i mirë me raketë se sa me ski. Në ski, nëse bën një gabim, nuk mund të fitosh më. Në tenis mund të bësh shumë gabime dhe prapë të fitosh ndeshjen.”
Ai kujton edhe momentin kur vendosi të bëhej profesionist: “Në moshën 13 vjeç e gjysmë vendosa të bëhem tenist. Ishte një zgjedhje e vështirë. U largova gjashtë apo shtatë orë larg me makinë, lashë pas prindërit, miqtë, vëllain, të gjitha sportet e tjera. Jeta ime ndryshoi nga një ditë në tjetrën. Fillova stërvitjen e përditshme, dhimbjet muskulore që nuk i kisha njohur më parë. Aty kuptova çfarë personi isha dhe se kjo ishte rruga e duhur për mua.”

Historia kthehet në prill 2025, këtë herë në Nisë, ku Sinner përgatitet për rikthimin në fushë. “Në fillim ndjehem pak i ‘ndryshkur’, por është pozitive të lëvizësh përsëri trupin,” – thotë ai.
Trajneri Simone Vagnozzi shton: “Jannik është një lojtar i shkëlqyer, shumë i talentuar. Kjo është një situatë e pazakontë, por po punojmë që ai të kthehet në nivelin e mëparshëm, madje edhe më i fortë.” Darren Cahill, duke iu drejtuar lojtarit, thotë: “Është normale që lodhesh sot, por në dy-tre ditë do të rikthehesh në ritmin normal.”
Para kamerave, Cahill shton: “Duhet të vazhdojmë të shtyjmë lojën e tij përpara. Të gjithë përreth tij do të përmirësohen dhe do të përpiqen të gjejnë dobësitë e tij. Ai e di që ka mjetet për t’i fituar ndeshjet e mëdha.”
Sinner ndërkohë shpjegon: “Gjithçka ka të bëjë me besimin për t’i realizuar. Mundohem t’i përballoj situatat e vështira duke i thënë vetes: ‘Ja një javë tjetër, ja një ditë tjetër, çfarë mund të bëj më mirë?’. Kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë. Do të jemi gati përsëri.”
Ai shton se përgatitja për një ndeshje nuk kufizohet vetëm në fushë, por lidhet me palestrën, ushqimin, gjumin dhe jetën jashtë sportit. “Çdo vit njoh më mirë mendjen dhe trupin tim. Kjo më jep besim për të luajtur një tenis të mirë,” – thotë ai.
Ai flet edhe për kohën jashtë fushës: “Kam kaluar kohë me familjen dhe miqtë. Nëse je i lumtur jashtë, bëhet më e lehtë të luash brenda. Ndjej që po rikthehet një version i ri i imi.” Cahill e përmbyll: “Nëse bëhesh një njeri më i mirë, bëhesh edhe një atlet më i mirë. Kjo sjell disiplinë, besim dhe forcë. Prandaj tani e shihni të aftë të përballet me momentet e rëndësishme dhe t’i mbyllë ato.”
Në pjesën e fundit, Sinner flet për rikthimin e tij në fushë, që ndodhi në Romë në maj 2025: “Të rikthehesh është emocionuese. Mund të ndodhë gjithçka. Hapi i parë është thjesht të rikthehem në tur. Por vendi ku dua të jem janë sërish Grand Slamet, përballë më të mirëve në botë. Nuk pres gjëra të pamundura, por le të shohim.”
Dokumentari mbyllet me kthimin e tij në fushë, humbjen në finalen e Roland Garros ndaj Carlos Alcaraz dhe më pas triumfin e parë në Ëimbledon. “Ishte një ndeshje e mrekullueshme. Po jetoj ëndrrat e mia. Është e pabesueshme. Dhe të kem këtë trofe me mua do të thotë shumë.”
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)