Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Dy ditë më parë, qeveria shqiptare miratoi në parim marrëveshjen zbatuese të marrëveshjes ndërmjet vendit tonë dhe Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut, për transferimin e personave të dënuar.
Dhe, sipas asaj që raportojnë mediat britanike, qeveria e Sunak do t’i paguajë Shqipërisë të paktën 5 milionë euro në vit për të marrë 200 nga të burgosurit e saj më të rrezikshëm.
Pesë milionë eurot do të shkojnë për të paguar për rinovimin e burgjeve, sigurinë shtesë, punëtoritë, pajisjet e rehabilitimit dhe trajnimin e rojeve.
Kështu, Britania do të paguajë 36.5 euro në ditë për të burgosur për të gjithë kohëzgjatjen e dënimit të tyre dhe sipas vlerësimeve të ministrisë britanike të Drejtësisë, në total largimi i tyre nga vendi do të kushtojë 5 milionë euro.
Detajet e marrëveshje i bën publike “The Telegraph” e cila duke cituar dokumente zyrtare raporton se do të krijohet një grup të përbashkët mbikëqyrës për të parandaluar keqtrajtimin e të burgosurve.
Qeveria shqiptare do të hartojë një raport vjetor për të burgosurit dhe kushtet e tyre, ndërsa qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të ruajë të drejtën për të kryer kontrolle fizike.
Çdo vend mund ta përfundojë marrëveshjen duke njoftuar palën tjetër 2 muaj përpara.
Mes 200 të transferuarve janë 17 të burgosur të përjetshëm, përfshirë 36-vjeçarin Koçi Selamaj, i cili i mori jetën një mësuese 28-vjeçare, Sabina Nessa.
Ai u burgos për të paktën 36 vjet për rrahjen dhe mbytjen e saj për vdekje në një park në juglindje të Londrës.
Ai ka vuajtur deri më tani vetëm dy vjet, që do të thotë që Britania e Madhe do t’i paguajë Shqipërisë 400,000 £ për ta burgosur për 34 vitet e mbetura të dënimit të tij.
Ministria e Drejtësisë në vend tha se marrëveshja do të kursente paratë e taksapaguesve, sepse kushton gati 40,000 £ në vit për të strehuar një të burgosur në Angli dhe Uells. Kjo do të ishte e barabartë me rreth 1.9 milionë funte për Selamajn.
Qeveria ka kërkuar garanci se të drejtat e njeriut të të burgosurve shqiptarë do të mbrohen, ndërkohë që, sipas asaj që raporton The Telegraph, pala shqiptare ka kërkuar që ata të paguhen për çdo grup, përpara se të pranojnë grupin tjetër të kriminelëve.
Sipas një marrëveshjeje të veçantë, të dënuarit shqiptarë gjithashtu do të lirohen deri në një vit më herët dhe do t’u jepen grante prej 1500 paund risistemimi nëse pranojnë të deportohen dhe të mos kthehen më në Britaninë e Madhe.
Britania shpreson se me largimin të dënuarve shqiptarë do të zbusë krizën e mbipopullimit të burgjeve, e cila ka detyruar Ministrinë e Drejtësisë të mbajë shkelësit në qelitë e paraburgimit dhe të lejojë lirimin e parakohshëm të qindra të tjerëve.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)