Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve deklaroi sot mbylljen e procesit të regjistrimit të emigrantëve që kanë shprehur dëshirën për të votuar në 11 Maj.
Në përfundim të shqyrtimit të mbi 294 mijë kërkesave u miratuan vetëm gati 246 mijë aplikime nga 110 vende të votës.
Mbi 48 mijë kërkesa të tjera u refuzuan për mangësi në dokumentacion. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi thotë se vetëm ata që janë të regjistruar kanë mundësi që deri në 12 Mars të ndryshojnë vetëm adresën, ndërsa të refuzuarit nuk do të kenë më asnjë mundësi për të marrë pjesë në procesin e votimit me postë.
Mbi 37% e emigrantëve të regjistruar në zgjedhje janë nga Italia me mbi 91 mijë persona. Më pas vjen Greqia me rreth 68 mijë e ndjekur nga Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar që kanë edhe numrin më të madh të votuesve.
Sa u takon qarqeve që ata u përkasin numrin më të madh e ka Tirana me mbi 52 mijë votues ose 21.3% e tyre.
Më pas vjen Fieri i ndjekur nga Elbasani, Durrësi, Korça, Vlora, Shkodra, Berati, Lezha, Dibra, Gjirokastra dhe Kukësi.
58.3% e kërkesave kanë qenë meshkuj, ndërsa 41.7% femra. Nga data 8 deri në 16 Prill, emigrantët e regjistruar do të kenë në shtëpi zarfin me fletën e votimit të cilën do ta kthejnë mbrapsht të plotësuar pa asnjë pagesë.
Kostoja e këtij procesi që realizohet për herë të parë në zgjedhjet shqiptare llogaritet në 7.5 milionë Euro.
Post comments (0)