Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Qindra mijëra vetë protestuan në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera franceze të enjten ndërsa vazhdojnë grevat mbarëkombëtare kundër planeve të qeverisë për të rritur moshën e pensionit, por presidenti Emmanuel Macron këmbënguli se ai do të vazhdojë me planet e reformave të pensioneve.
Grevat mbarëkombëtare shkaktuan ndërprerje të transportit, mësimit dhe shërbimeve e tjera publike në të gjithë Francën.
Gjatë një konference për shtyp në një takim të nivelit të lartë franko-spanjoll në Barcelonë të Spanjës, presidenti Macron tha se ” duhet ta bëjmë atë reformë” për të “shpëtuar” sistemin e pensioneve.
“Ne do ta bëjmë atë me respekt, në një frymë dialogu, por edhe me vendosmëri dhe përgjegjësi”, shtoi ai.
Ndërsa zoti Macron mbante konferencën e shtypit, policia u kundërpërgjigj ndaj disa protestuesve që hodhën mjete plasëse gjatë një marshimi përgjithësisht paqësor në Paris. Gjendja duket se u rikthye shpejt nën kontroll.
Sipas rregullave të reja, punëtorët francezë do të duhet të punojnë më gjatë përpara se të dalin në pension– me moshën e pensionit që rritet nga 62 në 64. Në një vend me një popullsi të plakur dhe jetëgjatësi në rritje ku të gjithë marrin një pension shtetëror, qeveria e zotit Macron thotë se reforma është mënyra e vetme për ta mbajtur sistemin gjallë.
Sindikatat argumentojnë se rishikimi i pensioneve kërcënon të drejtat e fituara pas shumë përpjekjesh dhe propozojnë një taksë mbi të pasurit ose më shumë kontribute nga pagat e punëdhënësve për të financuar sistemin e pensioneve. Sondazhet sugjerojnë se shumica e francezëve janë gjithashtu kundër reformës.
Më shumë se 200 mitingje u organizuan në mbarë Francën të enjten, duke përfshirë një në Paris ku merrnin pjesë të gjitha sindikatat kryesore të Francës.
Jean Paul Cachina, 56 vjeç, iu bashkua marshimit në kryeqytetin francez – i pari për të. “Nuk jam këtu për veten time,” tha ai. “Jam këtu për të mbrojtur të rinjtë dhe punëtorët që bëjnë punë të vështira. Unë punoj në sektorin e industrisë së ndërtimit dhe jam dëshmitar i vuajtjeve të punonjësve”.
Shumë të rinj ishin në mesin e protestusve në Paris, duke brohoritur “Rinia po proteston. Macron ke mbaruar.” Sindikatat e nxënësve të shkollave të mesme i kishin kërkuar anëtarëve që t’u bashkohen protestave.
Nathan Arsac, 19 vjeç, student dhe anëtar i sindikatës UNEF, tha: “Kam frikë se çfarë do të ndodhë më pas. Humbja e arritjeve tona sociale mund të ndodhë shumë shpejt. Kam frikë tek e ardhmja kur të jem i moshuar dhe të dal në pension”.
Sylvie Béchard, një infermiere 59-vjeçare, tha se ajo iu bashkua marshimit sepse ” punonjësit e kujdesit shëndetësor, janë të rraskapitur fizikisht”.
“E vetmja gjë që kemi është të demonstrojmë dhe të bllokojmë ekonominë e vendit”, shtoi ajo.
Kostoja ekonomike e grevave nuk është ende e qartë. Qeveria shqetësohet se një shfaqje e madhe kundërshtie të enjten mund të inkurajojë sindikatat që të vazhdojnë me largimet e zgjatura që mund të pengojnë ekonominë ndërkohë që Franca po lufton kundër inflacionit dhe po përpiqet të nxisë rritjen.
Sindikatat e policisë që kundërshtojnë reformën e pensioneve gjithashtu morën pjesë në protesta, ndërsa ata në detyrë u përgatitën për dhunë të mundshme nëse grupet ekstremiste do t’u bashkohen demonstratave.
Sipas autoritetit hekurudhor SNCF, shumica e shërbimeve të trenave në Francë u anuluan, përfshirë disa lidhje ndërkombëtare. Rreth 20% e fluturimeve jashtë aeroportit Orly të Parisit u anuluan dhe linjat ajrore paralajmëruan për vonesa.
Ministria e Arsimit Kombëtar tha se në varësi të shkollave, rreth 34 deri në 42% e mësuesve ishin në grevë.
Thierry Desassis, një mësues në pension, e quajti planin e qeverisë “një lajthitje”.
“Në moshën 64-vjeçare fillon të kesh probleme shëndetësore. Unë jam 68 vjeç dhe me shëndet të mirë, por kam filluar të shkoj më shpesh tek mjekët”, tha ai.
Greva ka prekur edhe disa objekte muzeale. Pallati i Versajës u mbyll të enjten ndërsa Kulla Eifel paralajmëroi për ndërprerje të mundshme dhe Muzeu i Luvrit tha se disa salla do të mbeten të mbyllura.
Shumë punëtorë francezë shprehën mendime të ndryshme për planin e qeverisë dhe vunë në dukje kompleksitetin e sistemit të pensioneve.
Ministri francez i Punës, Olivier Dussopt pranoi “shqetësimet” e shkaktuara nga planet e pensioneve që do t’u kërkojnë punëtorëve të bëjnë “një përpjekje shtesë”.
Duke folur në televizionin LCI, zoti Dussopt justifikoi zgjedhjen për të shtyrë moshën e daljes në pension, sepse qeveria hodhi poshtë opsionet e tjera që përfshinin rritjen e taksave – të cilat ai tha se do të dëmtonin ekonominë dhe do të kushtonin vendet e punës – ose uljen e pensioneve.
Qeveria franceze prezanton zyrtarisht projektligjin e pensioneve të hënën dhe ai do të kalojë në Parlament muajin e ardhshëm. Suksesi i tij do të varet pjesërisht nga shkalla dhe kohëzgjatja e grevave dhe protestave.
Shumica e partive opozitare, përfshirë të majtën dhe të djathtën ekstreme, janë fuqimisht kundër planit. Aleanca centriste e Macronit humbi shumicën e saj parlamentare vitin e kaluar, megjithatë ka ende grupin më të rëndësishëm në Asamblenë Kombëtare, ku ka një shans të mirë për të bërë aleancë me partinë konservatore republikane për të miratuar reformat e pensioneve.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)