Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
today03/07/2025
Për udhëheqësin e deputetëve të Partisë Demokrate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hakeem Jeffries, i ashtuquajturi projektligji “i madh dhe i bukur” i Donald Trump-it është plot me masa jopopullore, veçanërisht për shkak të shkurtimeve të ndihmave ndaj më të varfërve. Sipas një artikulli të Corriere Della Sera kjo do të mjaftonte për ta projektuar Partinë Demokratike drejt suksesit në zgjedhjet afatmesme të vitit 2026.
Edhe për njeriun më të pasur të botës Elon Musk-un, ky ligj do të jetë “varri” i republikanëve, por për arsye të kundërta. Shumë shpenzime publike sipas tij do të bëjnë që borxhi federal që është tashmë shumë i lartë, të rritet në nivele të paqëndrueshme.
Ulja e normave tatimore të prezantuara nga Trump-i gjatë mandatit të parë, që ishte drejt skadimit, tashmë është konfirmuar. Përfitime për të gjithë, por veçanërisht për të pasurit. Kush fiton 200 mijë dollarë në vit do të kursejë 12 mijë e 500 dollarë taksa në vit. Për ata që fitojnë më pak se 35 mijë dhe që tashmë paguajnë pak taksa, përfitimi është vetëm 150 dollarë.
Por Trump-i ka gjetur një mënyrë për të kënaqur shumë taksapagues me të ardhura të ulëta duke i bërë bakshishet e marra nga stafet e restoranteve, hoteleve dhe shërbimeve të tjera pa taksa (deri në një maksimum prej 25 mijë dollarësh në vit për ata me të ardhura jo më shumë se 150 mijë dollarë) dhe duke eliminuar taksën mbi orët shtesë (deri në 12 mijë e 500 dollarë në vit).
Përballë këtyre përfitimeve fiskale, ligji i buxhetit parashikon shkurtime në mirëqenie, të përqendruara kryesisht te “Medicaid”. Ky është mbulimi shëndetësor për të varfrit, i cili do të humbasë pothuajse 1 trilionë dollarë për dhjetë vjet.
Sipas analistëve të pavarur të CBO-së (zyra që vlerëson ndikimin ekonomik të ligjeve), me këtë projektligj, 12 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta do të humbasin kujdesin shëndetësor deri në vitin 2034.
Pavarësisht këtyre shkurtimeve, efekti financiar total do të jetë, sërish sipas CBO-së, një rritje e borxhit publik me 3.3 trilionë dollarë, duke e çuar atë nga 36.2 trilionë në gati 40 trilionë, që përfaqëson 150% të PBB-së.
Trump mohon se ligji i tij do të rrisë deficitin dhe borxhin. Ai thotë se CBO-ja nënvlerëson rritjen e jashtëzakonshme (6% ose madje 9% në vit) që do të sjellë ligji i tij në ekonominë amerikane.
Por asnjë ekonomist serioz nuk i mbështet këto parashikime. Për më tepër, falë kaosit tarifor, ekonomia amerikane po ngadalësohet dhe këtë vit, nëse nuk hyn në recesion (siç ndodhi në tremujorin e parë), ajo do të mbetet, sipas të gjitha analizave, shumë më poshtë se 2.4% që ishte në vitin 2024.
Se situata financiare do të përkeqësohet, nuk e thonë vetëm Elon Musku dhe demokratët. Vetë Senati miratoi një version të ligjit që parashikon një deficit 1 trilion dollarë më të lartë sesa versioni i Dhomës së Përfaqësuesve.
Aty tani janë në revoltë disa republikanë rigorozë si Chip Roy dhe Keith Self (ky i fundit e quajti ligjin “kriminal” në aspektin fiskal). Në mënyrë implicite, edhe vetë qeveria e pranon situatën duke kërkuar nga Kongresi që të rrisë kufirin e borxhit publik me 4 trilionë dollarë (Senati shtoi edhe 1 më shumë).
Ligji i ri parashikon 150 miliardë dollarë shtesë për 10 vitet e ardhshme për luftën kundër emigracionit të paligjshëm: 46 miliardë për të përfunduar murin në kufi me Meksikën, 45 miliardë për qendrat e ndalimit për emigrantët pa dokumente, 30 miliardë për shtimin e personelit të Agjencisë për Emigrantët dhe Doganat, policisë kufitare dhe15 miliardë për fushatat anti-emigracion nëpër shtete.
Për Pentagonin parashikohen 157 miliardë shtesë (25 miliardë për sistemin mbrojtës antiraketor “Golden Dome”, 29 miliardë për flotën detare të SHBA). Ka edhe stimuj për energjinë, por ato që përfitojnë janë kryesisht industria e naftës dhe qymyrit. Subvencionet për energjinë e erës dhe diellit, të prezantuara nga Biden-i, do të pësojnë shkurtime drastike dhe do të zhduken plotësisht në vitin 2028.
Rreth 71 milionë amerikanë të varfër që marrin ndihmë shëndetësore përmes “Medicaid” do të preken ndjeshëm nga: Shkurtime të fondeve për shtetet, kërkesa për të punuar ose për të bërë punë vullnetare të paktën 80 orë në muaj për ata që nuk janë persona me aftësi të kufizuara, detyrimi për të ripërtërirë regjistrimin çdo 6 muaj në vend të një herë në vit.
Do të ketë gjithashtu shkurtime në subvencionet për ushqime (të ashtuquajturat “food stamps”), nga të cilat përfitojnë 42 milionë amerikanë. Edhe këtu vendosen kushte pune minimale për ata që nuk janë me aftësi të kufizuara dhe nën moshën 65 vjeç, dhe një pjesë (nga 5% në 15%) e kostos që sot mbulohet nga qeveria federale do të transferohet te shtetet, përveç rasteve kur këto të fundit tregojnë një normë gabimi më të ulët se 6% në shpërndarjen e kuponëve ushqimorë.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)