Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të premte, më 7 nëntor, detaje të paketës së re fiskale që do të përfshihet në buxhetin e vitit të ardhshëm, duke thënë se qeveria nuk premton vetëm për vota, por angazhohet për zbatimin e politikave të premtuara.
Gjatë fjalës së tij, Rama premtoi mbylljen e çështjeve të vjetra tatimore dhe vendosjen e një marrëdhënieje të re mes shtetit dhe sipërmarrjes, duke premtuar një sërë falje gjobash dhe detyrimesh të papaguara tatimore për bizneset.
“Përshëndetje, përsëri unë dhe përsëri për të rejat e vitit që po troket. Zgjedhjet kanë mbaruar dhe këtë po ua kujtoj atyre që thonin: ‘Hajt se premtoni për vota dhe pastaj harroni’. Ja ku jemi, nuk kemi zgjedhje përpara dhe ne jo vetëm nuk premtojmë thjesht për vota dhe jo vetëm nuk harrojmë, por ato 83 mandate të atij besimi të jashtëzakonshëm që morëm nga njerëzit, na kanë vënë në pozita pune si kurrë më parë dhe çfarë jam zotuar e konsideroj si minimumin e borxhit moral të PS-së ndaj shqiptarëve. Siç e kemi të shkruar në programin që paraqitëm para zgjedhjeve, paketa fiskale e parashikuar qysh në buxhetin e vitit të ardhshëm do të hapë një kapitull të ri mes sipërmarrjes dhe administratës tatimore.
Paqja fiskale e promovuar gjatë procesit elektoral është tanimë një paketë e shkruar, e konceptuar për të forcuar bashkëpunimin dhe rritur besimin mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes dhe anasjelltas. Dhe do të mbyllim çështjet e vjetra pikërisht për t’i dhënë krah këtij besimi dhe për të forcuar këtë bashkëpunim.“, tha Rama.
Por si do të ndodhë kjo? Kryeministri Rama shpjegoi se procesi do të realizohet në dy forma kryesore. Së pari, do të ofrohet një falje për të gjitha sipërmarrjet me detyrime të prapambetura.
A. Fshirje e plotë e detyrimeve tatimore të papaguara që i përkasin periudhave më të hershme se 10 vite të regjistruara në llogaritë tatimore të subjekteve.
B. Fshirje 50% e detyrimeve për periudhat 5-10 vite, nëse shuma e mbetur paguhet njëherësh brenda një afati të përcaktuar, së bashku me fshirjen e gjobave dhe të interesave.
C. Fshirje 25% të detyrimeve për të njëjtën periudhë 5-10 vite, nëse shumat paguhen me këste brenda 1 viti, gjithashtu edhe kjo me fshirje të gjobave dhe interesave.
D. Fshirje e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhat 1-5 vite, me kusht që të paguhet i plotë tatimi, tarifa ose kontributi i të njëjtës periudhë.
Më tej, Rama shtoi se gjithashtu do t’u jepet mundësia të gjithë sipërmarrjeve të korrigjojnë pasaktësitë në deklarimet e mëparshme në pasqyrat financiare.
“Për ndryshime mes deklarimit të vjetër dhe atij të ri, të vetëkorrigjuarit, do të paguhet vetëm 5% tatim mbi fitimin.”, shtoi ai.
Kryeministri foli për krijimin e një marrëveshjeje të re besimi mes sipërmarrjes dhe administratës tatimore. Ai tha se sipërmarrjet mund të lidhin marrëveshje vullnetare me administratën tatimore.
“Por nuk mbaron me kaq. Si do të krijojmë ne një marrëdhënie të re besimi dhe bashkëpunimi të administratës tatimore me sipërmarrjen? Për një periudhë që mund të shtrihet deri në 3 vite, sipërmarrjet mund të lidhin marrëveshje vullnetare me administratën tatimore, ku të pranojnë të rrisin me 18% tatimin e tatueshëm, krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa për çdo shtesë mbi këtë fitim, tatimi do të jetë vetëm 5%. Gjatë kohës që është në fuqi marrëveshja e paqes fiskale, sipërmarrjet nuk do t’i nënshtrohen kontrolleve tatimore që lidhen me tatimin mbi fitimin. Është një paqe që do të diskutohet në Kuvend dhe jo më një paqe thjesht e propozuar në një program elektoral.”, tha Rama.
Kujtojmë se projektbuxheti 2026, u prezantua dy ditë më parë në Konferencën e Kryetarëve, nga Ministri i Financave, Petrit Malaj. Ky i fundit, u shpreh se ky projektbuxhet është rezultat i një procesi të gjatë dhe të koordinuar mes institucioneve, “i mbështetur në analiza të thelluara makroekonomike dhe vlerësime fiskale të balancuara”.
Me një total prej 886.7 miliardë lekësh në shpenzime publike të parashikuara, buxheti fokusohet në investime për infrastrukturë moderne, përmirësim të sistemeve digjitale, zhvillim të energjisë së gjelbër dhe forcim të kapitalit njerëzor.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)