Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Kryeministri Edi Rama bëri me dije se ka komunikuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe homologun maqedonas, Dimitar Kovaçevski në lidhje me samitin e ardhshëm të Bashkimit Europian, që do të zhvillohet më 23 qershor në Bruksel.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se nga ky samit pret një tjetër përgjigje negative, sa i takon çeljes së negociatave me BE-në.
Kjo sipas kreut të qeverisë, për shkak të vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, për të cilën ende BE-ja nuk po gjen dot një zgjidhje.
“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria, nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!”, shkruan Rama në Twitter.
Ditën e djeshme, Vuçiç tha se ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në samit.
Konferenca e nivelit të lartë me Ballkanin Perëndimor do të mbahet një ditë para sesionit të Këshillit të BE-së 23-24 qershor që pritet të vendosë për integrimin e vendeve të rajonit.
Shqipëria dhe RMV presin hapjen e negociatave, gjë e cila kërkon heqjen e vetos nga Bullgaria, kurse Kosova pres liberalizimin e vizave.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)