Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today03/11/2023
Partia Socialiste mblodhi sot pasdite Asamblenë e Zgjeruar në Fier ku kryeministri Edi Rama, teksa bëri një rezyme të punës së bërë nga qeveria, bëri me dije edhe prioritet për në vijim. Fokusin kryesor, kreu i qeverisë e vuri te lufta kundër krimit të organizuar, teksa u shpreh se epoka “e të fortëve me statuse speciale në botën e krimit do të mbyllet pa kthim”.
“Tek rendi jemi në shifra jashtëzakonisht pozitive. Vazhdimisht kemi patur rënie të kriminalitetit. Jemi vendi me numrin më të ulët të vjedhjeve të shtëpive në Europë. Drejtësia, këtu kam parasysh korrupsionin dhe krimin. Për shkak të reformës në drejtësi, punës që është bërë me forcat e rendi jemi sot në një fazë revanshi të rëndësishëm ndaj krimit të organizuar dhe kjo është diçka që kërkon shumë kohë dhe sofistikim sepse krimi i organizuar ishte i shtrirë në të gjithë territorin, sot është tkurrur në vatra të caktuara. Çfarë keni parë kohët e fundit me arrestime të rëndësishme është vetëm fillimi i fundit. Do të jetë shumë e afërt koha, nuk flas për dekada, por një kohë të shkurtër kur të gjitha këto vatra do shuhen dhe ata që i përkasin asaj bote dhe që do kenë kurajën të rrinë në Shqipëri, do përfundojnë aty ku kanë filluar të shkojnë ata që janë provat e para që këtu nuk ka asnjë kompromis me krimin e organizuar dhe që këtë luftë që kemi filluar 10 vite më parë, do ta fitojë shtetit dhe do ta fitojë pa kthim. Një epokë e gjatë të fortësh me statuse speciale në botën e krimit të organizuar do mbyllet pa kthim. Dhe nëse për krimin e organizuar përdoret shprehja ‘bota e nëndheshme’, ata do kenë bishtat e tyre, por jo më mbi dhe, nën dhe. Mbi toka e Shqipërisë do jetë e shqiptarëve pastaj lufta e shtetit do bëhet me minjtë e tokës, por jo deri edhe në fonde publike. Kjo është një nga gjërat më të sigurta, ndërkohë që çdo ditë do shihni që veprimi ndaj krimit të organizuar do të jetë shembullor”, tha Rama.
Po ashtu, Rama i mëshoi fort edhe arsimit profesional, duke i bërë thirrje prindërve që t’i çojën fëmijët të mësojnë zanate. Sipas kryeministrit, për të arritur objektivin që Shqipëria të jetë kampione e turizmit në rajon, duhen rritur “me shpejtësi” kapacitete njerëzore.
“Te gjërat që janë për t’u bërë, e para që ne të bëjmë atë kapërcim historik që kemi marrë përsipër dhe që ta kemi Shqipërinë e 2030 një vend kampion në rajon për turizmin, për eksportet bujqësore, për dixhitalizimin, modernizimin teknologjik, ne duhet me patjetër të kuptojmë dhe këtë do ta kuptojmë në veprimin e përditshëm që duhet të rrisim me shpejtësi kapacitet njerëzore në arsimin profesional. Nuk mundet të jemi kampion në këtë rajon që jemi të rrethuar nga vende që luajnë në Champions League. Dhe që të konkurrosh me ata duhet jo thjesht t’i ofrosh siguri, por duhet t’u shërbesh me cilësi dhe mungesa e specialistëve, njerëzve të zanatit në të gjithë industrinë e turizmit është alarmante dhe është e kotë që i çojnë fëmijët në gjimnaz me 5 me këmbëngulin t’i çojnë në universitet për t’i dhënë fëmijës një rrugë që nuk do e nxjerrë gjëkundi. Ndërkohë që ai fëmijë që nuk është i prirur për shkenca, të marrë një zanat. Ky është një ndryshim i madh që duhet bërë duke filluar që këtë vit. Kemi nisur një proces sensibilizimi me shkollat me prindërit”, tha Rama.
Kreu i ekzekutivit përmendi edhe nevojën, sipas tij, për forcimin e autonomisë së Universiteteve.
“E dyta është nevoja për forcuar arsimin dhe sidomos universitetet Universitet tona kanë nevojë të madhe të shfrytëzojnë në mënyrë më të përgjegjshme autonominë. Ne kemi rritur pagat, para pak javësh kërkonin që pas rritjes së pagave të pedagogëve të rritet dhe për personelin mbështetës. Është dyfishuar numri i personelit mbështetës, ky për mua është abuzim, ndërkohë që numrin e studentëve nuk e ke të rritur. Kemi hapur një proces për ndërkombëtarizmin e Universiteteve dhe do kemi mundësi që ata që janë të mirë, të studiojnë këtu pa ikur jashtë shtetit që të kenë diploma të njehsuara”, deklaroi ai.
Tjetër prioritet, Rama përmendi dixhitalizimin, ku tha se vendi po hyn në një rrugë edhe më të avancuar me programe të reja të inteligjencës artificiale.
“Tjetra është dixhitalizimi. Është një proces që është shtrirë në shumë sektorë dhe ne po hymë në një rrugë akoma më të avancuar me programe të reja të inteligjencës artificiale që do bëjnë shërbime të mëdha për vendin. Kjo do na japi mundësinë që të rrisim një kapacitet në Shqipëri që të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike”, tha kryeministri.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)