Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today28/09/2023
Shqipëria mori sot presidencën e radhës të Rrjetit Mesdhetar të Enteve Rregullatore (MNRA), ndërsa mirëpriti në Tiranë për herë të parë zhvillimin e Asamblesë Plenare të 22-të.
Asambleja fokusohet tek sfidat e mjedisit të sotëm mediatik, ndërsa në fjalën e saj, kryetarja e Autoritetit të Medias Audivizive, Armela Krasniqi shprehu përgjegjësinë si vend mikpritës për herë të parë i Asamblesë së MNRA-së në Shqipëri. “Mikpritja është një traditë e fortë shqiptare, shumë e rëndësishme, dhe, përveç të tjerash, është një detyrim i imi dhe bashkëpunëtorëve të mi që, jo vetëm të jemi organizatorë të mirë të këtij eventi, por edhe të bëjmë që ju të ndiheni si në shtëpi”, u shpreh ajo.
Krasniqi vuri në dukje se në dy ditët e Asamblesë do të diskutohen sfida të rëndësishme me të cilat përballet jo vetëm tregu mediatik, por edhe entet rregullatore.
“Vitet e fundit kanë shënuar një boom të panjohur më parë teknologjik. Deri një dekadë të shkuar, askush nuk do të mund ta parashikonte që teknologjia dhe shërbimi online, rrjetet sociale e platformat e shpërndarjes së videove – komunikimi në vetvete – do të ishin të përmasave që janë sot. E vështirë të parashikohej transformimi i mënyrës së marrjes e dhënies së informacionit apo përshtatja (e detyruar), e tregut mediatik me këto forma të reja komunikimi. Kjo situatë e krijuar ka nxitur Komisionin Evropian të ndërmarrë nisma të reja ligjore. Akti Evropian për Lirinë e Medias, është ajo më kryesorja dhe në këtë asamble, kolegët tanë do të flasin në një panel të dedikuar për këtë. Akti Evropian për Lirinë e Medias është një instrument i ri shumë i dobishëm i Bashkimit Evropian për të mbrojtur pluralizmin dhe pavarësinë e medias. Pavarësisht se ky Akt ende nuk ka hyrë në fuqi, ai fokusohet në pavarësinë e mediave, por edhe në transparencën e pronësisë së medias dhe të shpërndarjes së reklamave publike. Ai përcakton masat për mbrojtjen e pavarësisë së redaktorëve dhe zbulimin e konflikteve të interesit”, tha Krasniqi.
Sipas saj, gjatë 2 ditëve të Asamblesë do të ketë mundësi të njohjes më shumë të realiteteve të enteve të ndryshme rregullatore, por edhe shkëmbim eksperience.
“Platformat e ndarjes së videove, një risi tjetër e ekosistemit të krijuar nga teknologjia, ajo ku u përdoruesi bëhet prodhuesi i përmbajtjes është një tjetër temë që bësoj ka intersin e të gjithëve ne. Aktualisht, autoritetet rregullatore të medias, po përshtaten me detyrat dhe përgjegjësitë që kemi përpara, prandaj po zhvillojnë qasje të reja për rregullimin ligjor të VSP-ve. Ky proces i planifikimi strategjik, i përcaktimit të prioriteteve për politikat e përputhshmërisë dhe zbatimit do të jetë temë e diskutimeve të këtyre dy ditëve dhe pa diskutim që do të na shërbejë për të ardhmen. Udhëzimet e UNESCO-s që gjithashtu shkojnë në këtë drejtim premtojnë një interes, gjithashtu të shtuar, nga të gjithë ne”, tha kryetarja e AMA-s.
Në vijim, Krasniqi prezantoi punën e AMA-s si Enti Rregullator i tregut audio dhe audiovizv në Shqipëri dhe nismat e deritanishme që synojnë përshtatjen me realitete e reja të tregut mediatik.
“Ne, si Autoritet Rregullator Shqiptar, duke e njohur rëndësinë e transpozimit të Direktivës së BE-së 2018/1808, në përmbushje të detyrimeve ndërkombëtare lidhur me procesin e integrimit të vendit në BE, jemi konsultuar me shumë institucione përgjegjëse për fillimin e procesit të transpozimit të një pjese të këtij akti juridik ndërkombëtar. Pas këtij procesi, në përputhje më këtë Direktivë, në maj të këtij viti, miratuam disa ndryshime në ligjin “Për mediat audiovizve në Republikën e Shqipërisë”, nëpërmjet të cilave forcuam kompetencat e AMA-s, duke rritur rolin e saj në inkurajimin e aktorëve dhe transmetuesve që operojnë në tregun shqiptar për edukimin mediatik të publikut; sigurojmë rritjen e transparencës së pronësisë së ofruesve të shërbimeve mediatik audioviziv; hedhim një hap më tej në forcimin e mbrojtjes së dinjitetit, të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, veçanërisht të fëmijëve, nga përmbajtjet që mund të dëmtojnë zhvillimin e tyre fizik, mendor ose moral; inkurajojmë vetërregullimin dhe bashkërregullimin”, tha ajo.
“Gjatë vitit 2023 miratuam Kodin e ri të Transmetimit për mediat audio dhe audiovizive, i diktuar gjithashtu prej nevojës së pasqyrimit të standardeve të reja, të miratuara nga institucionet evropiane, standardeve të legjislacionit shqiptar, sugjerimeve të institucioneve ndërkombëtare dhe nevojës së adresimit të problemeve të dala në praktikë. Për këtë qëllim u zhvilluan 14 tryeza këshillimore, ku dhanë mendimet dhe sugjerimet e tyre 87 profesionistë të medias dhe përfaqësues të OSHMA-ve, 78 përfaqësues të shoqatave të grupeve të interesit, 79 ekspertë të medias dhe komunikimit, 70 përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore si edhe 17 ekspertë dhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare. Përfaqësitë e Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Tiranë, të cilat e ndoqën afër të gjithë procesin, përveç ekspertizës së tyre, mundësuan marrjen e opinionit të ekspertit të Këshillit të Evropës për Kodin, opinione që gjithashtu u reflektuan në projektin e Kodit të Ri”, vijoi Krasniqi.
Kryetarja e AMA-s vuri theksin se Kodi i Transmetimit për median audiovizive përmban seksione të reja të dedikuara për “Luftën kundër diskriminimit dhe promovimin e barazisë gjinore”, por edhe për “Parandalimin dhe luftimin e gjuhës së urrejtjes”, ndërsa u ripunuan dhe zgjeruan deri në masën 60% seksionet e mëparshme të tij.
“Kemi pasur dhe do të vazhdojmë të kemi prioritet komunikimin dhe shqyrtimin e çdo ankese apo shqetësimi që vjen nga publiku apo grupet e interesit në lidhje me transmetimet audio dhe audiovizive. Vetëm gjatë viteve 2021 dhe 2022 janë pritur dhe administruar nga Këshilli i Ankesave në AMA më shumë se 600 ankesa të ardhura nga publik dhe grupe interesi. Janë verifikuar, është kthyer përgjigje dhe marrë masa për çdo shkelje ligjore, të konstatuar, nga operatorët e shërbimit mediatik audioviziv. Deri tani, gjatë këtij viti, janë administruar më shumë se 300 ankesa të tjera, çka dëshmon një ndërgjegjësim në rritje të publikut shqiptar, qoftë për cilësinë e shërbimit që merr nga operatorët mediatik, qoftë për të drejtat që gëzon ai vetë. Për këtë arsye AMA do ta shtojë komunikim dhe e kemi në planet tona të punës edukimin e mëtejshëm mediatik të publikut, si qëllim për të formësuar një audiencë të mirëorientuar, kritike dhe të përgjegjshme”, theksoi ajo.
“Në ushtrimin e veprimtarisë së tij rregullatore, Autoriteti monitoron gjithashtu moscënimin e lirisë së shtypit dhe reagon publikisht në favor të mbrojtjes së të drejtave të gazetarëve apo profesionistëve të medias, gjatë kryerjes së detyrave të tyre. Jemi gjithashtu në proces njohjeje dhe trajnimi të stafit mbi aktet më të fundit evropiane rekomanduese mbi mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, siç është Rekomandimi i BE i vitit 2021 “Për mbrojtjen, sigurinë dhe fuqizimin e gazetarëve në BE”. Forcimi i kapaciteteve të stafit të AMA-s në njohjen e eksperiencave të vendeve të BE është vlerë e shtuar në vijimin e mbështetjes së lirisë dhe pluralizmit mediatik në Shqipëri. Jemi pra, në punë e sipër për të ndjekur hapin e kohës. Mund të jemi të suksesshëm vetëm nëse, në këtë sfidë që nuk njeh as shtet e as kufij, jemi të gjithë bashkë, për të qenë trasparentë dhe garantues të së drejtës së shprehjes”, përfundoi Krasniqi.
Asamblenë e përshëndeti edhe Presidenti i Këshillit dhe drejtori i Agjencisë AEM si dhe President i MNRA-së, Josip Popovac. Ai theksoi se “qëllimi i këtij takimi ishte të identifikonim dhe të përzgjidhnim temat më të rëndësishme që kanë interes për të gjitha vendet anëtare të rrjetit tonë”.
“Në këtë kuptim, programi i konferencës në këto dy ditë, do të ketë prezantime dhe diskutime interesante të trendeve të fundit të industrisë së medias audiovizuale, të elementeve që lidhen me rregullimin e tregut të këtij sektori, të aktit të lirisë së medias, si tema që trajtojnë gazetarinë cilësore dhe verifikimin e fakteve. Po ashtu do të flasim dhe për udhëzuesit e UNESCO-s për platformat, të cilat lidhin të gjashtë platformat në mbarë botën për të krijuar një hapësirë multisektoriale dhe me shumë aktorë lidhur me rregulloret e këtyre platformave. Ne presim me padurim konkluzionet e grupeve për elementet gjinore në media dhe për informacionin mediatik, si dhe për planet që do zhvillohen në periudhën e ardhshme”, u shpreh ai.
Asambleja vijoi me dy panele diskutimesh.
Në takimin e nivelit të lartë janë të pranishëm krerët e enteve rregullatore të vendeve anëtare të MNRA-së, presidenti i ERGA-s, Xhakomo Lasorela (Giacomo Lasorella), përfaqësues të platformës së Facebook, Tik-Tok, përfaqësues nga UNESCO etj.
Rrjeti Mesdhetar i Autoriteteve Rregullatore (MNRA) daton që nga 1997. Në 29 Nëntor 1997 u nënshkrua marrëveshja e parë nga Autoritetet Rregullatore të Francës, Portugalisë, Italisë, Greqisë dhe Katalonjës për krijimin e një rrjeti të përhershëm të Autoriteteve Rregullatore të Mesdheut në mënyrë që të krijohet një platformë për diskutim, shkëmbim informacioni dhe kërkime mbi rregullimin e tregut mediatik audioviziv.
Rrjeti Mesdhetar i Enteve Rregullatore numëron sot 27 anëtarë të cilët i bashkojnë marrëdhëniet miqësore mes tyre, gatishmëria për të konsoliduar shkëmbimin e rregullt të informacionit dhe përvojave për çështje me interes të përbashkët brenda kornizës në të cilën u krijua rrjeti. Vendet pjesëmarrëse konsultohen me njëra tjetrën në projekte kërkimi, ndërsa janë të gatshme gjithashtu të krijojnë dhe zhvillojnë marrëdhënie me organizatat dhe platformat ndërkombëtare të autoriteteve rregullatore të komunikimit audiovizual.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)