Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Ideja e Ditës Botërore të Kafshëve u krijua nga Heinrich Zimmermann, një shkrimtar dhe botues i revistës ”Man and Dog” (”Njeriu dhe Qeni”), i cili u lind në Varshavë, por u zhvendos në Berlin, sipas www.worldanimalday.org.uk.
Ai organizoi festimin e parë të Ditës Botërore të Kafshëve më 24 mars 1925 në Berlin, por e zhvendosi atë më pas për më 4 tetor, për herë të parë në vitin 1929.
Fillimisht ai gjeti ndjekës vetëm në Gjermani, Austri, Zvicër dhe Çekosllovaki.
Çdo vit Zimmermann punoi pa u lodhur për promovimin e Ditës Botërore të Kafshëve.
Më në fund, në maj 1931, në një kongres të organizatave botërore për mbrojtjen e kafshëve në Firence, propozimi i tij për ta bërë universale 4 tetorin si Ditën Botërore të Kafshëve u pranua unanimisht.
Heinrich Zimmermann (1887-1942) ishte gazetar, redaktor, shkrimtar dhe aktivist për mbrojtjen e kafshëve.
Si organizator kryesor i lëvizjes për parandalimin e mizorisë ndaj kafshëve, ai ishte gjithashtu botues i revistës së sipërcituar, që dilte çdo dy javë.
Ai e përdori revistën për të promovuar mirëqenien e kafshëve tek publiku i gjerë dhe krijoi një Komitet të Ditës Botërore të Kafshëve.
Zimmermann ishte gjithashtu botuesi i dy vëllimeve ”Lexicon for Friends of Dogs” dhe ”Animal Brother”.
Pasi organizoi Ditën Botërore të Kafshëve fillimisht në Berlin, ai arriti të miratonte një rezolutë në Kongresin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Kafshëve në Firence, më 8 maj 1931.
Dita e parë Botërore e Kafshëve u mbajt më 24 mars 1925 në Pallatin e Sportit në Berlin.
Mbi 5 000 persona morën pjesë në këtë ngjarje.
Kishte një arsye të thjeshtë pse data ishte 24 marsi. Organizatorët e kishin planifikuar për më 4 tetor, por Pallati i Sportit, i cili ishte i vetmi vend mjaft i madh për të mbajtur mijëra vizitorë, nuk ishte i disponueshëm atë ditë.
Kjo ditë ka lidhje edhe me ditën e festës së shën Françeskut të Asizit, shenjti mbrojtës i ekologjisë, përfshirë kafshët.
Legjenda thotë se shën Françesku ishte në gjendje të fliste me kafshët dhe kjo është arsyeja pse ai është paraqitur në piktura të shumta nën shoqërinë e tyre. Ai gjithashtu u predikonte kafshëve dhe madje zbuti një ujk.
Ai vdiq më 4 tetor dhe 705 vjet pas vdekjes së tij, u miratua zyrtarisht Dita Botërore e Kafshëve.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)