Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today09/09/2022
Sistemi SEED për shkëmbimin elektronik të të dhënave është thelbi i nismës, dhe do të përshpejtojë procedurat doganore, formalitetet dhe kontrollet doganore.
Romë, 9 Shtator 2022 – Nisma e Korsive Blu, do të përmirësojë trafikun detar midis Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë, falë sistemit SEED+, Sistemi për Shkëmbimin Elektronik të të Dhënave, i cili është funksional në CEFTA. Z. Genti Gazheli, Drejtor i Përgjithshëm i Administratës Doganore të Shqipërisë, Z. Rade Millosheviç, Drejtor i Administratës së të Ardhurave dhe Doganave të Malit të Zi dhe z. Marcello Minenna, Drejtor i Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve të Akcizave të Italisë, nënshkruan në Romë disa Memorandume Mirëkuptimi për shkëmbimin elektronik të të dhënave ndërmjet këtyre institucioneve. Kjo ishte gjithashtu një mundësi për të diskutuar mbi zhvillimin e ardhshëm të nismës Blu Lanes dhe marrëdhëniet tregtare në zonën e Detit Adriatik.
Ky është një moment me rëndësi historike për palët e CEFTA-s, duke qenë se ky bashkëpunim do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë dhe Malit të Zi, por edhe Palëve të tjera të CEFTA-s, që do të përdorin portet në Shqipëri dhe Mal të Zi për tregti. Po vijon krijimi i infrastrukturës së IT-së dhe pritet që sistemi të funksionojë në vjeshtën e vitit 2022. Ky bashkëpunim hap mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të nismave të Korsive të Gjelbërta dhe Blu, drejt vendeve të tjera anëtare të BE-së .
Të dhënat do të shkëmbehen elektronikisht përmes platformës SEED, financuar nga BE. Sistemi SEED për shkëmbimin elektronik të të dhënave, ka një rol vendimtar në implementimin e Korsive të Gjelbërta CEFTA-TCT në CEFTA, por edhe ndërmjet CEFTA-s dhe Greqisë, që është funksionale që nga korriku i këtij viti . SEED është zbatuar që nga viti 2010, më vonë është përmirësuar në SEED+ dhe ka përmirësuar menaxhimin e pikave të kalimit në Ballkanin Perëndimor, ka përmirësuar efikasitetin dhe komunikimet ndërkufitare, si dhe ka thjeshtuar e modernizuarprocedurat. “Sistemi SEED është thelbi i iniciativave të Gjelbërta/Blu, duke ofruar infrastrukturën e sigurt të IT-së për përshpejtimin e procedurave doganore, formaliteteve dhe kontrolleve doganore jo vetëm ndërmjet Palëve të CEFTA-s, por edhe me BE-në. Duke qenë shumë fleksibël dhe i adaptueshëm, sistemi SEED po i afron administratat dhe bizneset tona më pranë BE-së dhe Tregut të saj të Përbashkët,” – deklaroi z. Emir Djikic, drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s.
Memorandumet e nënshkruara midis Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë, marrin plotësisht në konsideratë rëndësinë e detyrimeve doganore dhe taksave të tjera të aplikueshme gjatë tregtisë së mallrave, njohin nevojën për bashkëpunim ndërkufitar, si dhe marrin parasysh objektivat e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, z. Gazheli, bëri një përshkrim të shkurtër të rrugëtimit shumëvjeçar të doganës shqiptare me ADM. Ai theksoi rëndësinë e SEED, suksesi i të cilit certifikohet me përdorimin e kësaj platforme edhe për Korsitë Blu. Z. Gazheli, pasi falenderoi doganën italiane dhe CEFTA-n, prezantoi aspiratën e doganës shqiptare që Korsitë Blu të shtrihen edhe me vende të tjera të BE.
“E para Korsi Blu operative midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, është rezultat i më shumë se dy viteve veprimesh të koordinuara të aktorëve të shumtë, në përputhje me angazhimet e marra në samitin BE – Ballkani Perëndimor, në Brdo pri Kranju. Duke vendosur Korsitë e Gjelbërta në të gjithë rajonin fillimisht, dhe më pas në kufijtë me BE-në, ne po e afrojmë rajonin me BE-në. Zgjerimi i konceptit në dete dhe krijimi i Korsisë së parë Blu, do të forcojë transportin multimodal dhe do të çojë në rritjen e flukseve tregtare. Presim që të lulëzojnë rrugë të reja tregtare, të cilat do të sjellin përfitime për qytetarët dhe bizneset. Komuniteti i Transportit do të vazhdojë të punojë me shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët në Ballkanin Perëndimor, për të përmirësuar më tej lidhjet e transportit dhe marrëdhëniet ekonomike”, – tha Matej Zakonjsek, Drejtor i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit.
Krijimi i Korridoreve/Korsive të Gjelbërta CEFTA-TCT brenda Ballkanit Perëndimor gjatë COVID-19, rezultoi të ishte një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit rajonal.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)