Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
G7 ka nisur të ndërmarrë hapa urgjentë për të frenuar rritjen e fortë të çmimeve të energjisë, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të tronditin tregjet globale.
Japonia dhe Gjermania njoftuan të mërkurën se do të lirojnë një pjesë të rezervave të tyre strategjike të naftës, edhe pa pritur takimin e liderëve të G7 që do të zhvillohet pasdite për të diskutuar pasojat ekonomike të luftës në rajon.
Ministri francez i Ekonomisë, Roland Lescure, deklaroi se këto vendime “individuale” të dy vendeve anëtare të G7 janë pjesë e një koordinimi shumë të ngushtë mes vendeve të pasura industriale.
Sipas tij, nga videokonferenca e liderëve, e thirrur nga presidenti francez Emmanuel Macron, mund të dalë edhe një vendim më i gjerë për tregun energjetik.
Pallati presidencial francez bëri të ditur se Macron do të dalë me një deklaratë publike pas përfundimit të takimit.
Ky është takimi i parë i G7 në nivel liderësh që nga shpërthimi i konfliktit aktual në Lindjen e Mesme. Në këtë forum marrin pjesë Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Japonia dhe Kanadaja.
Rritja e çmimeve pas bllokimit të Hormuzit
Lufta e nisur më 28 shkurt, pas sulmeve izraelito-amerikane ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjes së Teheranit në disa vende të rajonit, ka sjellë mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit. Përmes kësaj rruge kalon në kohë normale rreth një e pesta e prodhimit botëror të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Si pasojë, çmimi i naftës është rritur ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare, duke shtuar edhe çmimet e karburanteve për konsumatorët.
Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi ishte e para që njoftoi vendimin për të liruar rezervat strategjike. Tokio do të nisë këtë proces që nga data 16 e këtij muaji, pa pritur një vendim zyrtar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (AIE).
Pothuajse në të njëjtën kohë, ministrja gjermane e Ekonomisë, Katherina Reiche, bëri të ditur se edhe Berlini do të lirojë një pjesë të rezervave të tij. Sipas saj, kjo është një “kontribut” ndaj kërkesës së AIE-së që vendet anëtare të nxjerrin në treg deri në 400 milionë fuçi naftë, ose rreth 54 milionë tonë.
Një sinjal për tregjet
Sipas një zyrtari francez, problemi aktual nuk është mungesa fizike e naftës, por rritja e fortë e çmimeve.
“Qëllimi është të dërgohet një sinjal i fortë për tregjet. Dhe që ky sinjal të ketë efekt, duhet të jetë i koordinuar”, u shpreh ai.
Ministrat e Energjisë të G7 deklaruan gjithashtu se janë “të gatshëm të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme”, në koordinim me AIE-në, për të stabilizuar tregun energjetik.
Sipas raportimeve të Wall Street Journal, AIE po shqyrton një përdorim “pa precedent” të rezervave strategjike për të frenuar rritjen e çmimeve. Ky veprim mund të tejkalojë edhe lirimin e 182 milionë fuçive naftë nga rezervat strategjike në vitin 2022, gjatë krizës së shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës 2022.
“Duhet të japim një mesazh shumë të qartë: Nëse Ngushtica e Hormuzit nuk mund të rihapet, atëherë nafta do të vijë nga burime të tjera dhe do të furnizojë tregun botëror”, deklaroi ministri francez Roland Lescure.
Ndërkohë, liderë të ndryshëm ndërkombëtarë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kanë bërë të ditur se po punojnë për mënyra që mundësojnë rihapjen e ardhshme të kësaj rruge strategjike detare, edhe pse pranojnë se kjo është e pamundur për momentin për shkak të intensitetit të konfliktit.
Pas disa ditësh rritje të fortë, deri në afro 120 dollarë për fuçi të hënën, çmimet e naftës pësuan një rënie të përkohshme të martën pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se lufta me Iranin ishte “pothuajse” drejt fundit. Megjithatë, të mërkurën çmimet u rritën sërish në tregjet ndërkombëtare.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)