play_arrow

keyboard_arrow_right

Listeners:

Top listeners:

skip_previous play_arrow skip_next
00:00 00:00
playlist_play chevron_left
volume_up
chevron_left
  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM SHQIPËRI

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË

  • cover play_arrow

    LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP

Art & Kulturë

BIRN: Thesaret e Kodër Vilës mbeten larg syve të kureshtarëve

today05/02/2024

Background
share close

Rruga “Anastas Durrsaku”, e asfaltuar disa vite më parë, nis pranë Torrës Veneciane dhe përfundon në Kodër Vilë.

Fillimisht këmbësorët i shoqërojnë muret bizantine, të ndërtuara në shekullin e 5-të nga perandori nga Durrësi “Anastasi i Parë”, emrin e të cilit ka marrë rruga.

Më tej, sa më shumë ngjitesh, peizazhi në krahun e majtë ndryshon dhe merr ngjyrën e kaltër të detit.

“Për fat të keq lëvizin kryesisht automjete – tha për BIRN Jonuz Vrapi, i cili banon prej kohësh në lagjen e re me pallate, që janë ngritur mbi kodër.

“Baret dhe restorantet këtu janë të pakët në numër,” shton Jonuzi.

“Njëlloj mungojnë edhe supermarketet,” ankohet mesoburri, sipas të cilit turistët dhe vizitorët nuk janë të shumtë, pasi i gjithë terreni është organizuar keq.

Në të gjithë territorin e kodrës numërohen të paktën 5-6 monumente, që i përkasin periudhave të ndryshme, nga antikiteti i vonë e deri në mesin e shekullit të njëzet.

Që në shikimin e parë vizitori kupton se mungojnë tabelat orientuese drejt Farit ndriçues të anijeve; tabela me të dhëna për Vilën mbi kodër si dhe ajo e Kullës Anzhuine, e njohur tashmë për qytetarët si “Kulla Belvedere”.

“Mungon dëshira nga institucionet vendore, por edhe mangësitë e punës së grupit për menaxhimin e integruar në amfiteatër,” tha për BIRN arkeologu Eduard Shehi.

Shehi shton se hapja e shtigjeve për kalimtarët, që mund të nisen nga Amfiteatri e lehtëson mbërritjen në pak minuta të paktën në dy kulla 8-këndore, përveç kullës “Belvedere” nga e cila mund të vëzhgohet i gjithë qyteti.

Këto kulla mund të bëhen të vizitueshme nga turistët, pasi kanë mjaft elemente arkeologjikë dhe një histori tepër interesante.

Në librin “Topografia e Durrësit mesjetar”, prof as. dr. Eduard Shehi shkruan se Kulla Anzhuine ka një formë rrethore, me lartësi të ruajtur deri në 10,4 metra. Për një periudhë të gjatë ajo ishte e mbuluar me çati dhe shërbente si depozitë baruti.

Aktualisht turistët mund ta shfrytëzojnë “Belvederen” vetëm si vendshikimi për gjiun detar të Durrësit, por ata nuk mund ta vizitojnë atë nga brenda, ku sipas arkeologëve mund të rindërtohen 2-3 katet e kullës, njëlloj si në mesjetë.

“Në të njëjtën mënyrë bëhen të vizitueshme edhe dy kullat 8-këndore, që ndodhen në të njëjtën hapësirë,” tha prof. as. dr. Eduard Shehi.

Mjaftojnë 500 metra shëtitje të tjera për të mbërritur fillimisht në muret e vilës së mbretit Zog, e më pas në kullën e bardhë të Farit, atje ku ngjitesh në pikën më të lartë të kodrës së Durrësit.

“Vila mbi kodër” që nga viti 1997, kur u rrënua masivisht ka mbetur e mbyllur dhe askush nuk mund të ngjitet brenda saj.

Nga jashtë, ajo vazhdon të ketë murin e hershëm të viteve 1930, kur u ngrit në kuotën 98 metra mbi nivelin e detit.

Vitin e kaluar Instituti i Ndërtimit në bashkëpunim me Ambasadën Italiane provuan të ndriçojnë fasadën dhe mjediset e brendshme, jo pak të dëmtuara.

Pamja e monumentit nga qyteti ishte mjaft e bukur dhe interesimi i qytetarëve për Vilën për të u rrit.

Sidoqoftë, godina simbol mbi kodrën e Durrësit vazhdon të jetë e mbyllur dhe ende mungon një marrëveshje për të mundësuar vizitat në godinë dhe sheshet para saj.

Ndërsa gjatë ditës pallatet e larta në shëtitore pengojnë pamjen e Vilës dhe të Farit, flakërimat e këtij të fundit në mbrëmje duken nga anijet në det më shumë se sa 10 milje larg.

“Drita e Farit me sinjalistikën e tij shihet vetëm në krahun e detit në 180 gradë,” tha për BIRN kapiteni i rangut të parë, Artur Meçollari, duke sqaruar më tej se kulla e Farit, “me themele të hedhura që në fillim të shekullit të kaluar, ka marrë formën e sotme me lartësi 14 metra vetëm në vitin 1957”

Për të mbërritur te Fari mbi kodër nuk është e lehtë.

Rrëpira është e mbushur me banesa të shumta dhe vetëm kohët e fundit mes tyre forcat e ushtrisë kanë shtruar një rrugë me çakull, që të ngjit deri lart.

Kapiten Meçollari thotë se vizitorët mund të ngjiten në kullën me shkallë të brendshme, vetëm pas një marrëveshje me Komandën e Forcave detare.

Përndryshe ata mund ti afrohen asaj, duke shfrytëzuar rrugën në mes të lagjes.

“E gjithë territori i Kodrës deri në fund të viteve 1980 ishte e mbushur me kazerma ushtarake dhe shëtitja mbi të ishte thuajse e pamundur,” i kthehet bisedës Jonuzi.

Sidoqoftë, atje ku ngrihet sot kisha e Shën Gjergjit, tamam në atë periudhë u ngrit Parku Rinia.

“Ishte një mënyrë argëtimi, me një lulishte – mezeri, ku tregtoheshin edhe pije të ndryshme,” kujton Jonuzi.

“Të vjen keq, pasi tani janë kushtet që kodra e Vilës dhe monumentet e saj të kthehen në një park turistik për vendasit dhe të huajt,” përfundon bisedën ai.

Written by: Sasha Ndreka

Rate it

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *