play_arrow

keyboard_arrow_right

Listeners:

Top listeners:

skip_previous skip_next
00:00 00:00
playlist_play chevron_left
volume_up
  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM SHQIPËRI

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË

  • cover play_arrow

    LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP

  • cover play_arrow

    LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB BAR

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB BAR BIT

Bota

Rikthimi pas skandalit i kreut të Nvidia-s, kush del i fituar dhe kush i humbur?

today24/11/2026

Background
share close

Rikthimi i Jensen Huang në krye të Nvidia-s, më pak se dy javë pasi u largua nga drejtimi i kompanisë mes një skandali që përfshinte akuza për marrëdhënie jashtëmartesore dhe lidhje të dyshuara me një shtetase kineze të dyshuar si spiune, ka shkaktuar tronditje në Silicon Valley dhe në tregjet financiare.

Pas një ndërhyrjeje të fortë politike në Uashington, bordi i gjigantit amerikan të prodhimit të çipave vendosi ta rikthejë Huang në detyrë, duke shkaktuar një rritje të menjëhershme të aksioneve të kompanisë dhe duke nxjerrë në pah sesa e madhe është varësia e industrisë globale të inteligjencës artificiale nga drejtuesi 63-vjeçar.

Kompania është vendosur tashmë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara. Dyshimet lidhen edhe me mundësinë që teknologjia e kufizuar amerikane të ketë përfunduar në duart e Pekinit. Megjithatë, këto akuza nuk e penguan rikthimin e Huang, pavarësisht se hetimet për kompaninë dhe lidhjet e saj me Megaspeed vijojnë.

Fituesit

Një nga fituesit kryesorë të kësaj historie është vetë Huang, i cili pas gati 33 vitesh në drejtimin e Nvidia-s është shndërruar në një prej figurave më të fuqishme të teknologjisë globale. Nga një punonjës që lante enët në restorantin amerikan Denny’s gjatë viteve 1980, ai arriti të ndërtonte një kompani me vlerë triliona dollarë, duke e vendosur Nvidia-n në qendër të revolucionit të inteligjencës artificiale. Rikthimi i tij e vendos në të njëjtën kategori me drejtues të tjerë të Silicon Valley, si Mark Zuckerberg dhe Elon Musk, të cilët konsiderohen aq të rëndësishëm për kompanitë e tyre, sa largimi i tyre duket pothuajse i pamundur.

Por ky rikthim nuk e ka fshirë pakënaqësinë brenda kompanisë. Gjatë 11 ditëve të largimit të tij, mediat raportuan për të paktën dy marrëdhënie të tjera jashtëmartesore me punonjëse të Nvidia-s, si dhe për sjelljen e tij agresive ndaj vartësve. Një punonjës, sipas revistës Uired, shkroi në një platformë të brendshme se nëse Huang kthehej, ai nuk do të merrte më pjesë në trajnimet për burimet njerëzore.

Fitues të tjerë janë aksionerët e Nvidia-s, të cilët përjetuan fillimisht një periudhë pasigurie dhe më pas një rikuperim të jashtëzakonshëm financiar. Mes 11 dhe 20 nëntorit, aksionet e kompanisë ranë me afro 28 për qind, ndërsa tregu përpiqej të kuptonte se kush do ta drejtonte gjigantin e çipave në një moment vendimtar për zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Por pas rikthimit të Huang, aksionet u rritën me rreth 30 për qind. Vetëm gjatë së hënës, më 23 nëntor, Nvidia rikuperoi rreth 956 miliardë dollarë në vlerë tregu, duke u ngjitur nga 3.04 trilionë dollarë në 3.98 trilionë dollarë. Mes aksionerëve të saj është edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili, sipas dokumenteve financiare të shqyrtuara nga Uashington Post, zotëronte në fund të gushtit aksione të Nvidia-s me vlerë nga 13 deri në 62 milionë dollarë, shumë më tepër se rreth 1.3 milionë dollarë që zotëronte në fund të vitit 2024.

Rikthimi i Huang ka sjellë përfitime edhe për kompanitë që varen nga teknologjia e Nvidia-s. Gjigantë si Microsoft, Google, Amazon dhe Meta përdorin procesorët e saj për të ndërtuar dhe operuar qendrat e të dhënave, ku zhvillohen sistemet e inteligjencës artificiale.

Për këtë arsye, çdo pasiguri në drejtimin e Nvidia-s mund të ndikojë drejtpërdrejt në planet e tyre të investimit dhe zgjerimit. Ndër kompanitë që përfituan nga rikthimi i tij janë edhe prodhuesit aziatikë të teknologjisë. Aksionet e Taiuan Semiconductor Manufacturing Company (TSMC), që prodhon procesorët e avancuar të Nvidia-s, u rritën me 9.9 për qind, duke shtuar 158 miliardë dollarë në vlerën e saj të tregut brenda një seance. Ndërkohë, aksionet e Foxconn, që monton serverët e pajisur me çipat e Nvidia-s, u rritën me afro 10 për qind. Përfitime patën edhe prodhuesit koreano-jugorë të memorieve SK Hynix dhe Samsung Electronics, si dhe kompania japoneze Advantest, e specializuar në pajisjet për testimin e çipave.

Një tjetër palë që mund të përfitojë nga rikthimi i tij janë mbështetësit e tregtisë më të lirë të teknologjisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Huang ka kundërshtuar vazhdimisht kufizimet amerikane për eksportin e çipave të avancuar, duke argumentuar se ndalimi i shitjeve do t’ua dorëzonte konkurrentëve kinezë një treg strategjik.

Që prej vitit 2022, Uashingtoni ka vendosur kufizime të njëpasnjëshme për eksportin e këtyre pajisjeve, me argumentin se ato mund të përdoren për qëllime ushtarake dhe të forcojnë kapacitetet teknologjike të Kinës. Megjithatë, administrata Trump ka lejuar shqyrtimin individual të kërkesave për eksportin e çipave H200 drejt klientëve të miratuar kinezë, nën kushte të caktuara sigurie.

Raportimet mediatike kanë ngritur gjithashtu dyshime se teknologjia e Nvidia-s ka vijuar të mbërrijë në Kinë përmes vendeve të treta dhe rrjeteve të kontrabandës. Pas shpërthimit të skandalit, Nvidia deklaroi se kishte ndalur dërgesat e çipave të fuqishëm drejt Kinës, pa dhënë një shpjegim të hollësishëm për këtë vendim.

Humbësit

Por në anën e humbësve janë disa figura të rëndësishme të administratës amerikane, duke filluar nga sekretari i Thesarit, Scott Bessent, i cili ka qenë një nga kritikët më të ashpër të kompanisë. Ndryshe nga Trump, që mbështeti rikthimin e Huang, Bessent ngriti dyshime se Nvidia mund të kishte lehtësuar shitje të parregullta të çipave drejt Kinës për të rritur të ardhurat dhe fitimet.

Në një intervistë për Fox, ai foli për shitje që mund të kishin qenë të paligjshme dhe që synonin të frynin rezultatet financiare të kompanisë. Ai kishte kërkuar gjithashtu që Nvidia të emëronte një drejtues të ri nga jashtë saj. Ndërkohë, edhe sekretari i Tregtisë, Houard Lutnick, është përballur me akuza se ka vonuar kufizimet për shitjen e çipave drejt Kinës, duke ngritur pikëpyetje për ndikimin e mundshëm të interesave financiare të ish-kompanisë së tij, Cantor Fitzgerald, e cila aktualisht kontrollohet nga dy djemtë e tij. Hetimet e Departamentit të Drejtësisë dhe Komisionit të Letrave me Vlerë vazhdojnë, pavarësisht rikthimit të Huang.

Humbës tjetër është bordi drejtues i Nvidia-s, i cili ka dalë i dobësuar nga mënyra sesi u menaxhua kriza. Pas largimit të Huang, kryetari i bordit Harvey Jones u kishte komunikuar investitorëve se drejtuesi ishte larguar me dëshirën e tij dhe se nuk do të rikthehej. Por pas presionit të ushtruar nga drejtues të Silicon Valley dhe fushatës publike në mbështetje të Huang, bordi ndryshoi qëndrim.

Në deklaratën e re, ai argumentoi se Huang ishte personi i duhur për të drejtuar kompaninë dhe se rikthimi i tij ishte në interesin më të mirë të aksionerëve, punonjësve dhe partnerëve. Ky vendim është kritikuar nga ekspertë të qeverisjes së korporatave, të cilët theksojnë se bordi e riktheu drejtuesin përpara se të përfundonin hetimet për marrëdhëniet e tij me Megaspeed. Sipas profesorit të Universitetit Columbia, Shiva Rajgopal, kjo situatë tregon se kontrolli i klientëve dhe ndërmjetësve që blejnë teknologjinë e Nvidia-s duhet të jetë tashmë një çështje e nivelit më të lartë drejtues, veçanërisht në vende si Singapori, Malajzia dhe Tajlanda.

Ndër humbësit e mundshëm janë edhe konkurrentët e Nvidia-s, të cilët fillimisht shpresuan të përfitonin nga pasiguria që krijoi largimi i Huang. Kompani si AMD dhe Broadcom regjistruan rritje të aksioneve me afro 6 për qind më 12 nëntor, ditën kur u njoftua largimi i tij. Investitorët menduan se klientët e mëdhenj mund të kërkonin alternativa për të mos qenë kaq të varur nga Nvidia.

Megjithatë, rikthimi i Huang e ndryshoi situatën. Aksionet e AMD-së u rritën me rreth 7 për qind dhe ato të Broadcom me 2 për qind, por këto lëvizje ishin shumë më të vogla se rritja prej mbi 30 për qind e Nvidia-s. Edhe Alphabet, kompania mëmë e Google, që zhvillon procesorët e vet të inteligjencës artificiale të njohur si TPU, mund të humbasë një pjesë të mundësive për të tërhequr klientë, që do të kërkonin të reduktonin varësinë nga teknologjia e Nvidia-s.

Në fund, një nga humbësit politikë të kësaj historie duket të jetë edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Kinës. Sipas raportimeve të Uashington Post, Rubio kishte nisur zinxhirin e ngjarjeve që çuan në largimin e Huang nga bordi i Nvidia-s. Megjithatë, rikthimi i drejtuesit tregoi se linja e administratës Trump ndaj Kinës dhe kompanive amerikane të teknologjisë nuk është e unifikuar.

Ndërsa presidenti mbështeti Huang, strukturat e sigurisë dhe zyrtarë të tjerë vazhdojnë të shprehin shqetësime për rrezikun e transferimit të teknologjisë drejt Pekinit. Megaspeed dhe gjashtë kompani të tjera në Azinë Juglindore u përfshinë të hënën në listën amerikane të subjekteve të kufizuara, me argumentin se veprimtaria e tyre bie ndesh me interesat e sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të SHBA-ve.

Kjo histori tregon se çfarë peshe ka fituar Nvidia në ekonominë globale dhe sa shumë varet e ardhmja e inteligjencës artificiale nga vendimet e një kompanie të vetme. Rikthimi i Huang qetësoi investitorët dhe furnitorët, por nuk i dha fund pikëpyetjeve për sigurinë teknologjike, marrëdhëniet me Kinën dhe përgjegjësinë e drejtuesve të korporatave.

Përtej skandalit personal, çështja tashmë është kthyer në një përplasje mes interesave ekonomike, sigurisë kombëtare dhe ndikimit politik të gjigantëve të teknologjisë.

Written by: Sasha Ndreka

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *