Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
“Do të ketë, padyshim, përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve tashmë jo shumë të mira”.
Me këto fjalë, ish-diplomati kroat, Bozho Kovaçeviç, i komenton rekomandimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë për qytetarët e këtij vendi.
Pas shpërthimit të luftës në Iran, kjo ministri lëshoi disa këshilla udhëtimi, duke u rekomanduar qytetarëve që të mos shkojnë në Lindjen e Mesme, ndërsa Kroacinë e përfshiu në listën e vendeve që duhen vizituar vetëm “në raste të nevojës ekstreme” dhe Shqipërinë “me masa paraprake shtesë”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë tha se ky vend është “një nga më të sigurtit në Evropë”, ndërsa Tirana zyrtare nuk komentoi.
“Semafori” i rekomandimeve
Ministria e Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me analizat e sigurisë që janë përdorur për të nxjerrë të ashtuquajturin “semafor” të rekomandimeve për qytetarët që udhëtojnë jashtë vendit.
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç, postoi më 4 mars një video në rrjetin social X, ku deklaroi se rekomandimet u bënë me iniciativën e tij.
Në këto rekomandime, të cilat u publikuan në faqen e internetit të Ministrisë, vendet klasifikohen në katër kategori: e gjelbër – udhëtim i lirë me kujdes të rregullt; e verdhë – udhëtim me masa paraprake shtesë; e portokalltë – udhëtim në rast nevoje ekstreme; e kuqe – udhëtimi nuk rekomandohet.

I ashtuquajturi semafor i rekomandimeve për qytetarët serbë për udhëtimet jashtë vendit. Shqipëria është në kategorinë e verdhë, ku qytetarëve serbë u këshillohet të marrin “masa paraprake shtesë”.
Kroacia, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 2013, është vendi i vetëm evropian që e gjen veten në kategorinë e portokalltë, e cila përfshin, mes tjerash, edhe Togon, Tanzaninë, Mianmarin dhe Republikën e Kongos.
Sipas shpjegimit të dhënë, bëhet fjalë për “incidente, tensione dhe rrethana të pafavorshme sigurie gjithnjë e më të shpeshta”, por nuk specifikohet se për cilat ngjarje bëhet fjalë.

Sekretarja e shtetit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviç, tha më 6 mars se kategorizimi nuk bart asnjë lloj mesazhi politik, por se është i nevojshëm për t’i informuar qytetarët serbë për të gjitha rreziqet e mundshme që mund të hasin dhe për t’i paralajmëruar ata për incidentet e mundshme që mund të ndodhin.
Ajo i tha Radio Televizionit të Serbisë se gjatë hartimit të rekomandimeve, janë marrë në konsideratë faktorë të ndryshëm, duke përfshirë “situatën e përgjithshme të sigurisë” në ato vende, vlerësimet e llojeve të ndryshme të rreziqeve dhe sulmeve, si dhe “një pasqyrë të të gjitha incidenteve të mundshme që qytetarët e huaj mund të hasin në vende të caktuara”.
“Nuk është sekret se në periudhën e mëparshme jemi përballur me një numër të konsiderueshëm incidentesh që ishin të drejtuara kundër qytetarëve tanë dhe, në përgjithësi, kundër pjesëtarëve të popullit serb që jetojnë në Republikën e Kroacisë”, tha Jovanoviç.
Për ish-diplomatin kroat dhe analistin politik, Bozho Kovaçeviç, “ky veprim është kryesisht pasojë e projeksionit që presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, dhe një pjesë e elitës politike në Serbi kanë për Kroacinë”.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)