Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
today01/10/2026
Protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Francë po përhapen edhe në universitete, ndërsa pas përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit, kryeministri Sébastien Lecornu ka thirrur urgjentisht një mbledhje ndërministrore për të diskutuar situatën.
Nxënësit kanë bllokuar hyrjet e shkollave për të kërkuar zëvendësimin e mësuesve që mungojnë, klasa me më pak nxënës dhe kushte më të mira në shkolla. Mbi 300 institucione arsimore në të gjithë Francën janë përfshirë në protesta, nga Parisi deri në Marsejë. Në Nantes, salla e hyrjes së liceut Nelson Mandela u përfshi nga zjarri. Flakët u përhapën edhe në fasadën e ndërtesës, përpara se zjarrfikësit të arrinin ta shuanin.
“I gjithë stafi u fut brenda për t’u mbrojtur, ndërsa policia dhe zjarrfikësit ndërhynë në vendngjarje”, deklaroi administrata rajonale. Drejtuesit e shkollës kanë bërë të ditur se do të paraqesin kallëzim. Autoritetet e cilësuan ngjarjen si një tejkalim “të papranueshëm” të kufijve të protestës.
IGPN, struktura që heton sjelljen e policisë në Francë, ka hapur tre hetime për veprimet e policëve ndaj protestuesve të rinj, disa prej të cilëve janë plagosur rëndë. Ministri i Brendshëm Laurent Nunez ka mbrojtur veprimet e forcave të rendit, duke folur për “proporcionalitet”. Megjithatë, gjatë protestave në Francë janë raportuar edhe raste të përdorimit të tepruar të forcës.
Nga njëra anë, protestuesit paqësorë, që përbëjnë shumicën, janë lënë në hije nga veprimet e personave të dhunshëm, disa prej të cilëve nuk janë nxënës të shkollave. Ata kanë kryer zjarrvënie dhe dëmtime të objekteve shkollore, pikërisht gjatë protestave që kërkojnë përmirësimin e kushteve në këto institucione.
Nga ana tjetër, disa policë janë filmuar duke përdorur forcën në mënyra që po hetohen. Në disa raste ata janë parë duke goditur të rinjtë me shkopinj, ndërsa në raste të tjera janë përdorur në distancë të afërt granata me gaz lotsjellës ose plumba gome, të cilat mund të shkaktojnë plagosje të rënda. Në Tours, një i ri u plagos rëndë në kokë dhe u dërgua me urgjencë në spital, pasi dyshohet se u godit nga një plumb i një arme LBD, e përdorur nga policia për të qëlluar me predha gome.
Situata është bërë edhe më e ndërlikuar për shkak të përfshirjes së forcave politike, në një kohë kur Franca ndodhet në prag të fushatës për zgjedhjet presidenciale të pranverës së ardhshme.
Jean-Luc Mélenchon, lider i partisë France Insoumise, ka akuzuar qeverinë dhe policinë se po shtypin protestat me ashpërsi, veçanërisht në zonat periferike. Ai ka shprehur mbështetjen për nxënësit dhe u ka bërë thirrje aktivistëve dhe përfaqësuesve politikë të partisë së tij të dalin në rrugë për të qëndruar mes nxënësve dhe forcave të rendit.
Edhe kryetari i bashkisë së Saint-Denis, Bally Bagayoko, pjesë e France Insoumise, doli në rrugë për të shprehur mbështetjen për protestuesit. Ai këndoi dhe kërceu me ta dhe mbrojti edhe veprimet e dhunshme si reagim ndaj metodave të policisë, duke deklaruar se “reagimi i dhunshëm mund të jetë i ligjshëm ose i kuptueshëm përballë veprimeve të forcave të rendit”. Për këtë arsye, prefekti e ka referuar atë për “nxitje për kryerjen e veprave penale”.
Në krahun tjetër, e djathta dhe veçanërisht kandidatja presidenciale Marine Le Pen kanë kërkuar rikthimin e rendit dhe kanë sulmuar Mélenchon. Sipas saj, ai “mban një përgjegjësi të madhe për situatën që po përjeton sot vendi”, pasi ka shkuar “pranë shkollave të mesme për të nxitur të rinjtë”, ka bërë thirrje për “kryengritje” dhe ka dërguar deputetët e tij pranë institucioneve arsimore.
Qeveria franceze, e cila sot po përballet me një debat të vështirë për ligjin e buxhetit dhe me një situatë të rënduar të financave publike, shqetësohet se protestat e nxënësve mund të përhapen më tej. Frika është që ato të përfshijnë jo vetëm universitetet, por edhe grupe të tjera të shoqërisë, në një kohë kur çmimet e karburanteve janë rritur dhe fuqia blerëse e shtresave të mesme dhe atyre me të ardhura më të ulëta po bie.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)