play_arrow

keyboard_arrow_right

Listeners:

Top listeners:

skip_previous skip_next
00:00 00:00
playlist_play chevron_left
volume_up
  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM SHQIPËRI

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË

  • cover play_arrow

    LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP

  • cover play_arrow

    LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB BAR

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB BAR BIT

Bota

Italia u mohon SHBA-ve bazën e Sigonellës, rrezik për tensione diplomatike

today31/03/2026

Background

Qeveria italiane ka refuzuar autorizimin për uljen e disa bombarduesve amerikanë në bazën ushtarake të Sigonellës, një vendim ky i ministrit të Mbrojtjes, Guido Crosetto, i marrë disa ditë më parë, por është mbajtur fillimisht konfidenciale.

Vendimi erdhi pasi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes, Luciano Portolano, u informua nga Shtabi i Forcave Ajrore italiane se disa avionë bombardues amerikanë kishin planifikuar të uleshin në Sigonella përpara se të vijonin drejt Lindjes së Mesme. Sipas burimeve për Corriere della Serra, autoritetet amerikane nuk kishin kërkuar asnjë autorizim paraprak dhe nuk kishin konsultuar strukturat ushtarake italiane, ndërsa plani i fluturimit ishte komunikuar vetëm pasi avionët ishin tashmë në ajër.

Ministri Crosetto kishte deklaruar më herët në Parlament se çdo operacion që nuk parashikohet nga traktatet duhet të kalojë përmes autorizimit parlamentar. Në këtë rast, mungesa e një kërkese zyrtare dhe natyra e misionit nuk lanë hapësirë për interpretim.

Sipas raportimit, avionët në fjalë kishin gjithashtu një kufizim operativ (“caveat”), që nuk lejon uljen e tyre pa autorizim, përveç rasteve emergjente.

Me urdhër të drejtpërdrejtë të ministrit, Portolano njoftoi komandën amerikane për vendimin, se bombarduesit nuk mund të uleshin në bazën e Sigonellës. Ky veprim u mor pavarësisht rrezikut të një krize diplomatike, duke rikujtuar precedentë historikë si tensionet mes Italisë dhe SHBA-ve në vitin 1985 gjatë qeverisë së Bettino Craxi dhe presidencës së Ronald Reagan.

Sigonella, “baza” e tensioneve Itali-SHBA

Baza ushtarake e Sigonellës rikthen shiritin e memories.

Kujtesa historike të çon menjëherë në natën dramatike të vitit 1985, kur kryeministri italian Bettino Craxi refuzoi kërkesën e presidentit amerikan Ronald Reagan për dorëzimin e një komandoje terroriste.

Fotografia ikonike e asaj nate, një avion i rrethuar nga dy ‘unaza ushtarësh’ me armë në dorë, mbetet simbol i një përballjeje të rrallë politike dhe ushtarake mes dy aleatëve.

Rrënjët e krizës: Rrëmbimi i “Achille Lauro”

Ngjarjet nisën me rrëmbimin e anijes turistike Achille Lauro, natën mes 7 dhe 8 tetorit 1985, gjatë lundrimit midis Egjiptit dhe Izraelit. Një komando palestineze, e lidhur me Frontin për Çlirimin e Palestinës, mori kontrollin e anijes pas të shtënave në bord.

Pas sinjalit SOS, autoritetet italiane nisën negociata me rrëmbyesit. Në proces u përfshinë edhe lideri i OLP-së Yasser Arafat dhe presidenti sirian i kohës Hafez al-Assad. Nga ana tjetër, Uashingtoni mbajti një qëndrim të prerë kundër çdo kompromisi.

Ndërmjetësimi iu besua Abu Abbas, drejtues i Frontit për Çlirimin e Palestinës. Pas orësh të gjata negociatash dhe kërcënimit për ndërhyrje ushtarake amerikane, u arrit një marrëveshje, lirimi i pengjeve dhe i anijes në këmbim të një daljeje të sigurt për terroristët, me kusht që të mos kishte viktima.

Zbulimi i vrasjes dhe ndërhyrja amerikane

Megjithatë, pasi kriza dukej e zgjidhur, doli në dritë një fakt tronditës, një pasagjer amerikan me origjinë hebraike, Leon Klinghoffer, ishte vrarë nga rrëmbyesit.

Ndërkohë, një avion i EgyptAir me katër terroristët dhe Abu Abbas në bord u nis nga Kajro drejt Tunizisë. Duke u ndjerë të mashtruar, SHBA-të ndërhynë.

Avionë luftarakë nga aeroplanmbajtësja USS Saratoga interceptuan avionin civil mbi Maltë dhe e detyruan të ndryshonte kurs.

Pas refuzimeve për ulje emergjente nga disa aeroporte, avioni u drejtua drejt Sigonellës, një bazë italiane me prani amerikane.

Nata e përplasjes në Sigonella

Natën mes 10 dhe 11 tetorit 1985, situata u përshkallëzua në një përplasje të drejtpërdrejtë. Avioni u vendos në zonë nën kontroll italian dhe u rrethua nga forcat italiane. Por edhe trupat amerikane morën urdhër të arrestonin Abbas dhe bashkëpunëtorët e tij, duke krijuar një situatë të tensionuar me armë të drejtuara nga të dyja palët.

Në një telefonatë direkte, Reagan kërkoi dorëzimin e menjëhershëm të të gjithë komandës, ndërsa Craxi këmbënguli se juridiksioni i takonte Italisë.

Me urdhër të prokurorisë italiane, terroristët u arrestuan dhe u transferuan në burg pas uljes në Aeroporto di Ciampino. Megjithatë, Abu Abbas arriti të largohej me një avion tjetër drejt Beogradit, duke shmangur arrestimin.

Ngjarja mbetet një precedent i rëndësishëm në marrëdhëniet Itali-SHBA, një moment kur Roma vendosi të mbrojë sovranitetin e saj përballë presionit të aleatit më të madh. Sot, siç thekson Corriere della Sera, rikthimi i debatit mbi përdorimin e bazës ngre paralele të reja me atë episod historik.

Written by: Sasha Ndreka

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *