play_arrow

keyboard_arrow_right

Listeners:

Top listeners:

skip_previous skip_next
00:00 00:00
playlist_play chevron_left
volume_up
  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM SHQIPËRI

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË

  • cover play_arrow

    LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP

  • cover play_arrow

    LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB BAR

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB BAR BIT

Bota

Serbia fut Shqipërinë dhe Kroacinë në listën e vendeve të pasigurta

today10/03/2026

Background

“Do të ketë, padyshim, përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve tashmë jo shumë të mira”.

Me këto fjalë, ish-diplomati kroat, Bozho Kovaçeviç, i komenton rekomandimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë për qytetarët e këtij vendi.

Pas shpërthimit të luftës në Iran, kjo ministri lëshoi disa këshilla udhëtimi, duke u rekomanduar qytetarëve që të mos shkojnë në Lindjen e Mesme, ndërsa Kroacinë e përfshiu në listën e vendeve që duhen vizituar vetëm “në raste të nevojës ekstreme” dhe Shqipërinë “me masa paraprake shtesë”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë tha se ky vend është “një nga më të sigurtit në Evropë”, ndërsa Tirana zyrtare nuk komentoi.

“Semafori” i rekomandimeve

Ministria e Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me analizat e sigurisë që janë përdorur për të nxjerrë të ashtuquajturin “semafor” të rekomandimeve për qytetarët që udhëtojnë jashtë vendit.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç, postoi më 4 mars një video në rrjetin social X, ku deklaroi se rekomandimet u bënë me iniciativën e tij.

Në këto rekomandime, të cilat u publikuan në faqen e internetit të Ministrisë, vendet klasifikohen në katër kategori: e gjelbër – udhëtim i lirë me kujdes të rregullt; e verdhë – udhëtim me masa paraprake shtesë; e portokalltë – udhëtim në rast nevoje ekstreme; e kuqe – udhëtimi nuk rekomandohet.

I ashtuquajturi semafor i rekomandimeve për qytetarët serbë për udhëtimet jashtë vendit. Shqipëria është në kategorinë e verdhë, ku qytetarëve serbë u këshillohet të marrin “masa paraprake shtesë”.

Kroacia, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 2013, është vendi i vetëm evropian që e gjen veten në kategorinë e portokalltë, e cila përfshin, mes tjerash, edhe Togon, Tanzaninë, Mianmarin dhe Republikën e Kongos.

Sipas shpjegimit të dhënë, bëhet fjalë për “incidente, tensione dhe rrethana të pafavorshme sigurie gjithnjë e më të shpeshta”, por nuk specifikohet se për cilat ngjarje bëhet fjalë.

Sekretarja e shtetit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviç, tha më 6 mars se kategorizimi nuk bart asnjë lloj mesazhi politik, por se është i nevojshëm për t’i informuar qytetarët serbë për të gjitha rreziqet e mundshme që mund të hasin dhe për t’i paralajmëruar ata për incidentet e mundshme që mund të ndodhin.

Ajo i tha Radio Televizionit të Serbisë se gjatë hartimit të rekomandimeve, janë marrë në konsideratë faktorë të ndryshëm, duke përfshirë “situatën e përgjithshme të sigurisë” në ato vende, vlerësimet e llojeve të ndryshme të rreziqeve dhe sulmeve, si dhe “një pasqyrë të të gjitha incidenteve të mundshme që qytetarët e huaj mund të hasin në vende të caktuara”.

“Nuk është sekret se në periudhën e mëparshme jemi përballur me një numër të konsiderueshëm incidentesh që ishin të drejtuara kundër qytetarëve tanë dhe, në përgjithësi, kundër pjesëtarëve të popullit serb që jetojnë në Republikën e Kroacisë”, tha Jovanoviç.

Për ish-diplomatin kroat dhe analistin politik, Bozho Kovaçeviç, “ky veprim është kryesisht pasojë e projeksionit që presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, dhe një pjesë e elitës politike në Serbi kanë për Kroacinë”.

Written by: Sasha Ndreka

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *