Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Ishulli grek Samotraka, i rrethuar nga shkëmbinjtë e thepisur të malit Saos dhe i veshur me lëndina e pyje madhështore lisash, po shndërrohet në një nga destinacionet më të preferuara të turistëve. Ujërat e pastra të tre lumenjve ushqejnë bimë të rralla e endemike, si dhe tarraca të tëra me ullinj përgjatë vijës së mrekullueshme bregdetare. I vendosur në detin Egje pranë kufirit verilindor të Greqisë me Turqinë, në ishull mund të shkohet përmes një udhëtim të shkurtër me traget nga Alexandroupoli. Samotraka dikur ishte e njohur në të gjithë botën antike për shenjtorët e saj, por sot është një magnet për vizitorë nga e mbarë bota. Po rendisim më poshtë disa nga vendet më interesante të ishullit.
Bregu verior i ishullit, është një bazë e mirë për të eksploruar të gjithë vendin. Hotelet luksoze aty nuk ekzistojnë dhe turistët akomodohen në ambiente shumë të thjeshta dhe më pranë natyrës.
“Samotraka është një ishull tjetër. Këtu jeni njësh me pyjet e gjelbra, lumenjtë, ujëvarat. Mund të ecni nëpër mal ose të notoni në det. Ky është një ishull i virgjër. Para 30 vitesh, vizitorët ishin shumë të paktë, kryesisht vetë grekërit dhe pak gjermanë. Ndërsa, sot kemi njerëz që vijnë nga e gjitha Europa.”
Kaliopi Parselias, pronare e Parselias Studios
Shumë prej këtyre vizitorëve zgjedhin të qëndrojnë në disa struktura të quajtura “Camping Varades”, të vendosura pranë detit. Ato ngjajnë me zgjojet e bletëve brenda zgavrave të pemëve. Kampistët duke qëndruar për një kohë të gjatë bashkë, nisin dhe organizojnë aktivitete të ndryshme. P.sh ata përshkojnë shtigje të lashta malesh ose eksplorojnë zona të pashkelura nëpër pyje.
Për ata që janë adhurues të notit dhe vendeve me ujëra të kristalta, ishulli ofron një sërë mundësish. Duke filluar nga ujëvarat e shumta që vërshojnë mbi shkëmbinjtë e lëmuar e deri te pellgjet dhe pishinat natyrore. Veç tyre, Samotraka është e pasur me banja termale që nga koha bizantine. Sigurisht, plazhet janë kudo. Kipos, pranë bregut lindor, është një plazh me guralecë të kaltër, ndërsa Pachia Ammos në jug është plazhi i vetëm me rërë.
Udhëtimet me varkë që fillojnë nga Kamariotissa ndalojnë në plazhe të paarritshme nga toka. Një nga më të bukurit është ai pranë bregut jugor, i rrethuar nga shkëmbinj gri që duken si një vepër e artit abstrakt. Sipas legjendës, në këtë vend lahej një grua, e cila një ditë me erë të fortë humbi veshjen. Shumë e zemëruar, ajo lëshoi mallkime, dhe i ktheu rrobat e saj në gur.
Adhuruesit e historisë kanë gjithashtu se çfarë të shohin në ishull. Tempulli Arsinoeion, ose i shenjtores së perëndive të mëdha, është vendi ku u gjet statuja e njohur e Samotrakës. E skalitur në shekullin e dytë p.e.s, është një nga veprat më të famshme të artit të lashtë. Tempulli daton para kohës së Greqisë së Lashtë Klasike dhe dikur ishte qendra fetare e Egjeut të Veriut.
Përveç rrënoja të lashta, në ishull ruhen edhe objekte apo gjurmë nga epoka të mëvonshme, kryesisht ajo bizantine. Të tilla mund të gjenden pafund në Chora, kryeqytetin e ishullit, të vendosur lart në malin Saos. E famshme në Chora është një kështjellë e shekullit të 15-të, ndërtuar nga sundimtari gjenovez, Palamedes Gateluzzi.
Përmbledhtazi, mund të thuhet se bukuritë e shumta natyrore, gjurmët e së shkuarës, rrugët e mbushura me lule, restorantet, dyqanet që shesin produkte vendase, si dhe një mori aktivitetesh të tjera, e rendisin Samotrakën në listën e ishujve më të bukur grekë.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)