Një 20-vjeçar përfundoi në spital pasi aksidentalisht çau një koshere bletësh, duke u pickuar më shumë se 20 mijë herë.
Mamaja e tij tha se Austin Bellamy gjithashtu gëlltiti 30 bletë kur preu kosheren e bletëve vrasëse afrikane, teksa po shkurtonte degët e një peme limoni, më 26 gusht, në Ohajo të Shteteve të Bashkuara.
Gjyshja dhe gjyshi, edhe pse ishin aty pranë, nuk patën mundësi ta ndihmonin, pasi edhe ata u sulmuan nga bletët. “Kur nisi të priste degët, bletët dolën dhe e pickuan. Ai nuk mund të bënte asgjë”, tha gjyshja e tij Phyllis Edwards për median lokale FOX19. “Unë isha duke bërtitur gjatë gjithë kohës. Askush nuk mund ta ndihmonte”.
Ambulanca mbërriti shpejt dhe i riu u transportua në Spitalin Universitar të Sinsinatit. “Kur e mora vesh më ranë të fikët”, tha mamaja e tij. 20-vjeçari vijon të qëndrojë në spital me shenja të dukshme të pickimeve në fytyrë dhe trup. Por fatmirësisht, edhe pse fillimisht u mendua se jeta e tij ishte në rrezik, ai do të rikuperohet shpejt.
Post comments (0)