Një qytet lundrues që do të strehojë rreth 20 000 njerëz, po planifikohet të ngrihet në ujërat e Oqeanit Indian, vetëm 10 minuta larg ishujve Maldive. Qyteti unik do të përbëhet nga 5000 njësi lundruese, duke përfshirë shtëpi, restorante, dyqane dhe shkolla, të cilat do të lidhen më njëra-tjetrën me kanale ujore. Njësitë e para të qytetit do të zbulohen këtë muaj, ndërsa banorët e parë pritet të zhvendosen aty në fillim të vitit 2024, ndonëse i gjithë qyteti do të përfundojë në vitin 2027.
Projekti – i konceptuar si një arkipelag me 1190 ishuj – po ndërtohet si një zgjidhje praktike për ishujt Maldive, që janë në rrezik nga ndryshimet klimatike. Tetëdhjetë për qind e sipërfaqes së tyre tokësore, është më pak se një metër mbi nivelin e detit dhe deri në fund të shekullit, pothuajse i gjithë vendi mund të zhytet në ujë.
Vitet e fundit, ndryshimi i klimës është bërë shkak që arkitektët të mendojnë gjithnjë e më shumë për ndërtimin e qyteteve lundruese. Gjatë dy dekadave të fundit, studioja arkitekturore holandeze, “Waterstudio”, ka projektuar më shumë se 300 shtëpi lundruese, zyra, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor, në mbarë botën. Sot, ato janë në krye të këtij projekti madhor për ndërtimin e qytetit lundrues në Oqeanin Indian.
Synimi është që qyteti të ketë të njëjtat funksione si një qytet i zakonshëm në tokë. Do të ketë energji elektrike, e cila do të prodhohet nga energjia diellore, ndërsa ujërat e zeza do të trajtohen në vend dhe do të ripërdoren si pleh organik për bimët. Duke zhvilluar një qytet lundrues plotësisht funksional në Maldive, arkitektët shpresojnë se këto projekte nuk do të jenë më vetëm vende luksoze, por një përgjigje ndaj ndryshimit të klimës dhe urbanizimit.
Post comments (0)