Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Më 1 prill në Doha të Katarit, prej 19:00 me orën lokale, do të hidhet shorti i grupeve të Botërorit. FIFA e ka komunikuar sot këtë procedurë të qartë: 28 skuadrat e kualifikuara deri në atë datë (pas play-off-it) do të shpërndahen në katër vazo, nga 1 deri te 4, sipas kritereve sportive, bazuar në renditjen botërore.
Kjo renditje do të publikohet më 31 mars, pas angazhimeve ndërkombëtare të këtij muaji. Duhet theksuar se Katari si vend pritës do të zërë vendin e parë të skuadrave të ndara (A1) në vazon 1, së cilës do t’i shtohen edhe shtatë skuadrat e pozicionuara më lart në renditjen FIFA-s (më 31 mars) .
Vendet e renditura nga 8 deri te 15 do të jenë në vazon 2, ndërsa ato të renditura nga 16 deri te 23 në vazon 3. Së fundi, vazo 4 do të ketë ekipet e renditura nga 24 deri te 28, plus dy vende për fituesit e kualifikimeve ndërkontinentale dhe një vend për fituesin e ndeshjes së UEFA-s, që është shtyrë për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Ndeshjet kualifikuese ndërkontinentale do të luhen më 13 dhe 14 qershor në Katar. Përfaqësuesja e AFC do të përballet me atë të CONMEBOL-it dhe skuadra e Concacaf-it do të luajë me atë të OFC-së, sipas shortit të datës 26 nëntor 2021.
Nga ana e saj, skuadra e fundit që do të kualifikohet në raundet kualifikuese të UEFA-s do të përcaktohet në periudhën ndërkombëtare maj-qershor, sipas vendimit të Byrosë së Komitetit Organizativ të FIFA-s të datës 8 mars.
Siç dihet, skuadrat e së njëjtës konfederatë do të mbeten të ndara në grupe të ndryshme, me përjashtim të atyre të UEFA-s, e cila përfaqësohet me 13 kombëtare. Në këtë mënyrë, pesë nga tetë grupet do të përfshijnë dy ekipe evropiane.
Lidhur me skuadrat që do t’i bashkohen Botërorit pas shortit, FIFA ka sqaruar si më poshtë: “Vendet e rezervuara për fituesit e dy ‘play-off’-eve ndërkontinentale dhe ‘play-off’-it të UEFA-s do të rregullohen gjithashtu nga parimi i përgjithshëm i ndarjes gjeografike të skuadrave nga e njëjta zonë kualifikuese.
Shpërndarja gjeografike e çdo vendi në ‘play-off’-et ndërkontinentale do të bazohet në çiftet e përfaqësuesve të konfederatave pjesëmarrëse në çdo ‘play-off’ ndërkontinental”.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)