Pagëzuar me emrin e perëndeshës romake Abeona, mbrojtëse e udhëtarëve dhe fëmijëve në udhëtime të gjata, ky jaht luksoz nën pronësinë e miliarderit Jeff Bezos është ankoruar sot në Portin e Durrësit.
I lançuar në vitin 2023 nga kompania prestigjioze holandeze Damen Yachting, “Abeona” përfaqëson standardet më të larta të ndërtimit detar: me një superstrukturë alumini prej 76 metrash të gjatë dhe gjerësi 12 metra, ky jaht është projektuar për lundrime të gjata e të sigurta.
Abeona shërben si një anije mbështetëse për superjahtin me vela “Koru”, 127 metra të gjatë. Të dyja këto super mjete lundruese janë në pronësi të miliarderit Jeff Bezos.

Jahti lundron nën flamurin e Ishujve Kajman dhe ka mbërritur në Durrës mëngjesin e së premtes nga porti francez i La Ciotat, duke u ankoruar në kalatën nr. 5 të portit të Durrësit.
Kompleksi portual po zgjeron gjithnjë e më shumë logjistikën për të ofruar shërbime të standardeve ndërkombëtare për mjete turistike lundruese, përfshirë jahtet dhe kroçierat, një hap tjetër drejt zhvillimit të turizmit elitar në vend.
Post comments (0)