Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ka filluar të vuajë dënimin me burg në Paris, ndërsa dy oficerë policie janë vendosur në qeli për të garantuar sigurinë e tij. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez.
Sarkozy mbërriti të martën në burgun La Santé në Paris, ku do të vuajë një dënim pesëvjeçar pasi u shpall fajtor për komplot në mbledhjen e paligjshme të fondeve elektorale nga Libia – një rënie e bujshme për një lider që drejtoi vendin në vitet 2007–2012.
“Ish-presidenti i Republikës ka të drejtë për mbrojtje për shkak të statusit të tij. Ekziston një rrezik i mundshëm ndaj tij dhe kjo masë mbrojtjeje do të vazhdojë edhe gjatë paraburgimit”, tha Nuñez.
Sipas mediave franceze, oficerët do të jenë pjesë e një ekipi që do të kryejë turne të alternuar në ambientet e burgut.
Sarkozy është vendosur në repartin e izolimit të burgut La Santé, ku të burgosurit qëndrojnë në qeli të vetme dhe nuk kanë kontakt me të tjerët gjatë aktiviteteve në ambiente të hapura, gjë që minimizon rrezikun e ndonjë incidenti.
Megjithatë, prania e policisë brenda ambienteve të burgut ka shkaktuar pakënaqësi tek sindikatat e gardianëve. Nicolas Peyrin, përfaqësues i sindikatës CGT, deklaroi për televizionin BFM se stafi i burgut është plotësisht i aftë të garantojë sigurinë e të burgosurve dhe se nuk ka nevojë për ndërhyrjen e policisë. “Nuk sjell asnjë vlerë të shtuar”, u shpreh ai.
Edhe Wilfried Fonck, kreu i një tjetër sindikate të gardianëve, u shpreh për radion RTL: Në thelb, po na thonë që nuk dimë të bëjmë punën tonë. Ai shtoi se “kemi dy civilë brenda një burgu që nuk e njohin sistemin dhe nuk e dinë si funksionon ai. Nuk kam parë diçka të tillë në 25 vjet punë.”
Ndërkohë, avokatët e Sarkozy-t kanë paraqitur një kërkesë për lirimin e parakohshëm të tij, në pritje të shqyrtimit të apelit, dhe presin që kjo kërkesë të merret në shqyrtim brenda një muaji. Ata shpresojnë që klienti i tyre të lirohet para festës së Krishtlindjeve.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)