Sipas një burimi të lartë, Britania “pa asnjë dyshim” do të mbështesë propozimin e Rutte-s, i cili parashikon një rritje reale prej rreth 30 miliardë paund krahasuar me planin aktual të qeverisë laburiste.
Kjo lëvizje vjen pas disa komenteve të kryeministrit Keir Starmer, i cili gjatë prezantimit të rishikimit strategjik të mbrojtjes nuk vendosi një datë fikse për arritjen e objektivit 3% të GDP-së për mbrojtjen. Aktualisht, ai ka rënë dakord të rrisë shpenzimet nga 2.33% në 2.5% deri në vitin 2027 dhe në 3% gjatë mandatit të ardhshëm qeveritar.
Ndërkohë, Starmer, pranoi më herët se janë duke u zhvilluar diskutime për kontributin që pritet në samitin e NATO-s në Hagë, ku udhëheqësit do të takohen më 24 dhe 25 qershor.
Propozimi i Rutte-s kërkon që vendet anëtare të NATO-s të investojnë 3.5% në mbrojtje të drejtpërdrejtë dhe 1.5% në fushat e sigurisë kibernetike, inteligjencës dhe infrastrukturës ushtarake, për një total prej 5%.
Siç shkruajnë mediat, Starmer pritet të diskutojë detajet e propozimit, pasi mbeten pa qartësi në disa elementë, si për shembull nëse shpenzimet për inteligjencën do të përfshihen në llogaritjet zyrtare të NATO-s.
Shtetet e tjera anëtare të NATO-s janë të vendosura të mbajnë Trump-in të përfshirë në mënyrë aktive, duke shmangur tensionet që mund të çojnë në përçarje gjatë samitit. Presidenti amerikan ka qenë shpesh kritik ndaj aleatëve për mosrespektimin e objektivave aktuale të shpenzimeve (2% e GDP-së) dhe ka kërkuar më herët që ato të rriten në 5%.
Propozimi i Rutte-s shihet si një kompromis i zgjuar që ruan unitetin e aleancës, ndërsa i përgjigjet kërkesave të SHBA-së për një angazhim më të madh financiar nga ana e vendeve europiane.
Post comments (0)