Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka ftuar dhjetëra udhëheqës evropianë dhe të Bashkimit Evropian në samitin që do të organizojë më 2 Mars në Londër, takim që synon të “çojë përpara” veprimet për Ukrainën dhe sigurinë, ka njoftuar zyra e tij.
Para samitit kryesor, Starmer do të jetë mikpritës i një bisede telefonike me shtetet e Baltikut dhe më pas ai do të presë në zyrën e tij presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, me të cilin do të bisedojë për luftën me Rusinë. “Kryeministri do ta shfrytëzojë këtë samit për të çuar përpara veprimin evropian sa i përket Ukrainës – duke sinjalizuar mbështetjen tonë të palëkundur për një paqe të drejtë e të qëndrueshme, një marrëveshje afatgjatë, që siguron sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës në të ardhmen”, tha zyra e tij.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, dhe ajo e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po ashtu pritet të marrin pjesë në samit. Starmer po ashtu pritet të mbajë takim të ndarë me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, para nisjes së samitit.
Zyra e kryeministrit britanik tha se samiti në Londër do të vazhdojë punën e bisedimeve të organizuara nga presidenti francez, Emmanuel Macron, më herët gjatë këtij muaji, dhe do të përqendrohet në forcimin e “pozicionit të Ukrainës, përfshirë edhe vazhdimin e mbështetjes ushtarake dhe rritjes së presionit ekonomik ndaj Moskës”.
Kjo mbledhje po ashtu pritet të theksojë edhe njëherë nevojën për një “marrëveshje të fortë e të qëndrueshme që do të prodhonte paqe” dhe në samit po ashtu do të diskutohet “për hapat e ardhshëm lidhur me planifikimin e garancive të forta të sigurisë”. Starmer, sipas zyrës së tij, po ashtu do të kërkojë që Evropa të luajë rolin e saj dhe të rrisë mbrojtjen kolektive.
Gjatë takimit me Trumpin, Starmer ka kërkuar nga udhëheqësi amerikan siguri për një forcë paqeruajtëse evropiane, që do të dislokohej në Ukrainë.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)