Kosova që nga 28 qershori i vitit 2023 vazhdon të jetë zyrtarisht nën masa të Bashkimit Evropian. Brukseli ka qenë i qartë që masat mund të hiqen vetëm nëse do të zbatohen kushtet që Josep Borell kishte vendosur më 3 qershor për de-eskalimin e situatës, ku përfshihen zvogëlimi i policisë speciale, largimi i kryetarëve dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.
Krerët e institucioneve kosovare, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi kanë kërkuar heqjen e masave duke i konsideruar si të padrejta dhe jo proporcionale, megjithatë BE është e prerë në kërkesën për plotësim kushtesh në këmbim të heqjes së masave.
Ndërkohë humbjet financiare të Kosovës nga këto masa janë marramendëse. Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka treguar se Kosova ka humbur 300 milionë euro projekte evropiane si rezultat i ndëshkimit evropian .
Ai ka thënë se këto projekte do të kishin ndikim të drejtpërdrejt në biznese.
“Si rezultat i masave të BE-së ne jemi dëmtuar në dy aspekte: e para është materiale ku deri me tani janë të bllokuara mbi 292 milionë, përafërsisht 300 milionë euro projekte që nuk kanë mundur që të implementohen, ato projekte janë kapitale që me pas impakt drejtpërdrejt te bizneset. E dyta është edhe si çështje e imazhit. Nuk është imazh i mirë kur ti si shtet ke masa ndëshkuese në kuptimin e investitorëve të huaj. Ne kërkojmë që ato masa të hiqen sa më shpejt, kërkojmë nga institucionet që të plotësoj kushte dhe kriteret që të mos jemi nën masa ndëshkuese”, ka thënë Rafuna.
Presidentja Vjosa Osmani në një intervistë të fundit ka treguar se aleatët kanë përgatitur edhe masa shumë më të rrepta për Kosovën dhe për individë, por ka deklaruar se falë përpjekjeve të saj ditë e natë ato janë parandaluar.
Post comments (0)