Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
today15/12/2025
Qeveria spanjolle ka gjobitur gjigantin e qirave të pronave Airbnb me 64 milion euro për reklamimin e apartamenteve pa licencë. Siç shkruan BBC, autoritetet thanë gjithashtu se disa prej pronave të reklamuar në destinacionin e njohur turistik ishin të ndaluara për t’u dhënë me qira.
Vendosja e kësaj gjobe nënkupton se Airbnb duhet të tërheqë të gjitha reklamat që promovojnë prona pa licencë. Megjithëse Ministria e Çështjeve të Konsumatorit deklaroi se gjoba nuk mund të apelohet, Airbnb tha se synon ta kundërshtojë në gjykatë.
“Ka mijëra familje që jetojnë në buzë të mbijetesës për shkak të strehimit, ndërsa disa pasurohen me modele biznesi që i dëbojnë njerëzit nga shtëpitë e tyre,” tha ministri spanjoll i të drejtave të konsumatorit, Pablo Bustinduy, në një deklaratë.
Por Airbnb tha në një reagim se ishte “i bindur që veprimet e Ministrisë së Çështjeve të Konsumatorit bien ndesh me rregulloret në fuqi në Spanjë”. Një zëdhënës shtoi se që nga korriku, kur ndryshuan rregullat për qiratë afatshkurtra, Airbnb po “bashkëpunon ngushtë me Ministrinë e Strehimit të Spanjës për të mbështetur zbatimin e sistemit të ri kombëtar të regjistrimit”.
Ashtu si shumë vende të tjera, qeveria spanjolle është e shqetësuar për mënyrën se si qiratë afatshkurtra për pushime mund të ndryshojnë lagjet, të nxitura nga një popullatë e përkohshme turistësh. Vendi ka luftuar me mijëra shpallje të Airbnb-së, duke i ndaluar ato dhe duke kufizuar numrin e pronave që kompania mund të reklamojë. Në maj pati protesta kundër kompanisë përpara sezonit të ngarkuar veror.
Qeveria spanjolle tha se 65 mijë e 122 reklama në Airbnb shkelën rregullat e konsumatorit, përfshirë promovimin e pronave pa licencë dhe pronave me numra licence që nuk përputheshin me regjistrat zyrtarë.
Duke shkruar në rrjetin social Bluesky, Bustinduy tha: “Do ta provojmë sa herë të jetë e nevojshme: asnjë kompani, sado e madhe apo e fuqishme, nuk është mbi ligjin. Aq më pak kur bëhet fjalë për strehimin.”
Në nivel global, disa qytete turistike të njohura vendosin kufizime të rrepta ndaj Airbnb, përfshirë Barcelonën, Nju Jorkun, Berlinin, Parisin dhe madje San Franciskon, ku Airbnb u themelua.
Kompania teknologjike nisi aktivitetin në vitin 2007, por u bë jashtëzakonisht popullore rreth vitit 2014, kur turistët kërkonin akomodim të lirë pa taksat e vendosura mbi hotelet. Numri i përdoruesve u rrit pasi kushdo mund të bëhej “host” dhe të fitonte para shtesë duke dhënë me qira një dhomë të lirë, megjithatë shumë qytete të mëdha më pas vendosën kufizime për këto lloj qirash, pasi u shtuan ankesat për festa të zhurmshme dhe mungesën e pronarëve në vend.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)