play_arrow

keyboard_arrow_right

Listeners:

Top listeners:

skip_previous play_arrow skip_next
00:00 00:00
playlist_play chevron_left
volume_up
chevron_left
  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM SHQIPËRI

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË

  • cover play_arrow

    LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP

Bota

Ndërmjetësuesit kërkojnë zgjatjen e armëpushimit në Gaza

today29/11/2023

Background
share close

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë janë vënë në përpjekje të mërkurën për të zgjatur armëpushimin në Gaza, duke shpresuar se udhëheqësit e Hamasit, i cili qeveris me territorin, do të vazhdojnë të lirojnë pengjet në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë dhe një pushimi të mëtejshëm nga ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit. Përndryshe armëpushimi do të skadojë brenda një dite.

Izraeli ka mirëpritur lirimin e dhjetëra pengjeve në ditët e fundit dhe thotë se do të vazhdojë armëpushimin nëse Hamasi vazhdon të lirojë pengjet. Por qëllimi tjetër i tij madhor, asgjësimi i grupit të armatosur që ka sunduar Gazën për 16 vjet, mund t’i rrëshqas nga duart.

Disa javë bombardimesh të rënda ajrore dhe një ndërhyrje tokësore kanë shkatërruar zona të gjera të Gazës veriore dhe kanë vrarë mijëra palestinezë. Por duket se kanë pasur pak ndikim në sundimin e Hamasit, që dëshmohet nga aftësia e tij për të zhvilluar negociata të ndërlikuara, për të detyruar respektimin e armëpushimit nga grupet e të tjera të armatosura dhe për të organizuar lirimin e pengjeve.

Udhëheqësi i Hamasit në Gaza, Yehya Sinwar dhe komandantët e tjerë ka të ngjarë të jenë zhvendosur në jug, së bashku me qindra mijëra palestinezë të grumbulluar në strehimore të tejmbushura.

Një pushtim tokësor izraelit në jug mund të largojë udhëheqësit e Hamasit dhe të shkatërrojë pjesën tjetër të infrastrukturës së tij, përfshirë kilometra me tunele, por me një çmim të lartë për jetët e palestinezëve, që duket se Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i Izraelit, nuk janë të gatshme ta miratojnë.

Administrata e presidentit Joe Biden i ka thënë Izraelit që nëse rifillon ofensivën duhet të veprojë me saktësi shumë më të madhe, veçanërisht në jug. Kjo qasje nuk ka gjasa ta gjunjëzojë Hamasin së shpejti dhe trysnia ndërkombëtare për një armëpushim të qëndrueshëm tashmë është në rritje.

“Sa larg do të jenë të përgatitura palët që të shkojnë me shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve duke zgjatur pauzën, pritet të vihet në sprovë, por trysnitë dhe stimujt për të dyja palët që t’i përmbahen këtij synimi janë tani më të forta se stimujt për t’u kthyer në luftë”, shkroi në rrjetin X, Martin Indyk, një ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Izrael.

FORCIMI I DIPOMACISË

Drejtori i CIA-s, William Burns dhe David Barnea, i cili drejton agjencinë izraelite të spiunazhit, Mossad, ishin në Katar të martën për të diskutuar zgjatjen e armëpushimit dhe lirimin e më shumë pengjeve. Katari i cili ka luajtur një rol thelbësor në ndërmjetësimin me Hamasin, ishte mikpritës i bisedimeve në të cilat u përfshinë edhe ndërmjetësuesit egjiptianë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të vizitojë rajonin këtë javë dhe gjithashtu pritet të nxis një armëpushim më të gjatë

Një deklaratë e përbashkët e ministrave të G7-ës, një grup i demokracive më të kamura i cili përfshin aleatë të ngushtë të Izraelit, bëri thirrje për “zgjatje të mëtejshme të pauzës” dhe për “mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar”.

Lufta filloi me sulmin e Hamasit me 7 tetor në jug të Izraelit, në të cilin u vranë mbi 1200 veta, kryesisht civilë. Militantët tërhoqën zvarrë rreth 240 njerëz në Gaza, duke përfshirë foshnja, fëmijë, gra, ushtarë, të moshuar dhe punëtorë tajlandezë të fermave.

Izraeli u përgjigj me një fushatë shkatërruese ajrore në gjithë Gazën dhe një pushtim tokësor në veri. Më shumë se 13,300 palestinezë janë vrarë, afërsisht dy të tretat e tyre gra dhe të mitur, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi, e cila nuk bën dallime midis civilëve dhe luftëtarëve.

Izraeli thotë se 77 ushtarë të tij janë vrarë në ofensivën tokësore dhe pretendon se ka vrarë mijëra militantë, por pa dhënë prova.

Vuajtjet e pengjeve dhe tronditja nga sulmi i 7 tetorit, kanë rritur mbështetjen izraelite për luftën. Por kryeministri Benjamin Netanyahu është gjithashtu nën trysni të madhe për të sjellë pengjet në shtëpi dhe mund ta ketë të vështirë të rifillojë ofensivën nëse ka gjasa për më shumë lirime.

Hamasi besohet se ende mban rreth 150 pengje, mjaftueshëm për të zgjatur armëpushimin edhe për dy javë të tjera sipas marrëveshjes aktuale të lirimit të 10 pengjeve për çdo ditë pauze. Por pritet që ai të rendojë kërkesat, me gjasë duke kushtëzuar lirimin e ushtarëve izraelitë në shkëmbim të të burgosurve palestinezë të dënuar për sulme vdekjeprurëse.

LIROHEN DYMBËDHJETË PENGJE

Në shkëmbimin e fundit, nëntë gra dhe një adoleshente, si dhe dy shtetas tajlandezë, u liruan të martën dhe u kthyen në Izrael. Menjëherë pas kësaj, Izraeli liroi 30 të burgosur palestinezë.
Pas zgjatjes së fundit, armëpushimi aktual do të përfundojë pas një shkëmbimi tjetër të mërkurën mbrëma.

Gjithsej 60 izraelitë janë liruar si pjesë e armëpushimit, shumica e të cilëve duken fizikisht mirë, por të tronditur. 21 pengje të tjerë, nga të cilët 19 tajlandezë, një filipinas dhe një ruso-izraelit, janë liruar në negociata të veçanta që nga fillimi i armëpushimit. Para armëpushimit, Hamasi liroi katër pengje dhe ushtria izraelite shpëtoi një. Dy pengje të tjerë u gjetën të vdekur në Gaza.

Shkëmbimi i fundit e çoi në 180 numrin e grave dhe të rinjve palestinezë të liruar nga burgjet izraelite. Shumica janë adoleshentë të akuzuar për hedhje gurësh dhe bombash gjatë përleshjeve me forcat izraelite. Disa ishin gra të dënuara nga gjykatat ushtarake izraelite për tentativë për sulme vdekjeprurëse. Palestinezët kremtuan lirimin e atyre që ata i shohin si njerëz që i kanë rezistuar pushtimit ushtarak izraelit prej dekadash të tokave që ata i duan për një shtet të ardhshëm.

QETËSI E BRISHTË NË GAZA

Armëpushimi ka sjellë qetësi në Gaza dhe ka rritur dërgesat e ndihmave humanitare, duke u mundësuar banorëve të grumbullojnë ushqim, ujë dhe karburant, pas disa javësh mungesash të rënda. Disa kanë qenë në gjendje të shohin rrënojat e shtëpive të tyre dhe të varrosin të afërmit, por Izraeli e ka ndaluar kthimin e tyre në veri.

Të martën, Izraeli dhe Hamasi fajësuan njëri-tjetrin për një shkëmbim të shkurtër zjarri në veri të Gazës, që nuk duket se rrezikoi armëpushimin. Militantët palestinezë kanë ndaluar sulmin me raketa në Izrael, ashtu si Hezbollahu i Libanit, i cili kishte shkëmbyer vazhdimisht zjarr me forcat izraelite përgjatë kufirit verior, që nga fillimi i luftës.

Sipas Kombeve të Bashkuara, bombardimet dhe ofensiva tokësore e Izraelit kanë zhvendosur më shumë se 1.8 milionë njerëz brenda Gazës, gati 80 për qind e popullsisë së territorit dhe shumica kanë kërkuar strehim në jug.

Armëpushimi ka mundësuar shtimin e ndihmave të dërguara nga 160 deri në 200 kamionë në ditë në Gaza, por kjo është më pak se gjysma e asaj që Gaza importonte para luftimeve, edhe pse nevojat janë rritur.

Ndërsa strehimoret e drejtuara nga OKB-ja janë tejmbushur, shumë veta janë detyruar të flenë në rrugë. Shiu dhe erërat e ftohta që kanë përfshirë Gazën i kanë bërë kushtet edhe më të mjerueshme.

Të martën, Hanan Tayeh u kthye në rrënojat e shtëpisë së saj të shkatërruar në Gazan qendrore.

“Kam ardhur për të marrë ndonjë gjë për vajzat e mia. Ka ardhur dimri dhe nuk kanë çfarë të veshin”, tha ajo.

Written by: Sasha Ndreka

Rate it

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *