Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today16/01/2023
Ambasadorit të Britanisë së Madhe në vendin tonë, Alastair King Smith, i është dorëzuar notë verbale nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë për komentet që ka bërë ndaj emigrantëve shqiptarë ministri britanik i Emigracionit, Robert Jenrick.
Ministria e Jashtme njofton zyrtarisht se përmes kësaj note verbale, “shprehet shqetësimi për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick”.
“Ministria e Punëve të Jashtme theksoi se kjo retorikë e përsëritur cënon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkon shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje dhe diskriminimi dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare.
Kujtojmë se ministri britanik për Emigracionin deklaroi disa ditë më parë se “jam këtu për të parë dëbimin e emigrantëve shqiptarë. Autobusët sapo janë nisur drejt aeroportit dhe në mëngjes ata do të jenë në Tiranë. Stafi ynë po punon për t’i gjetur shqiptarët, për t’i arrestuar, për t’i sjellë në aeroport dhe kthyer në Tiranë. Këta janë jo vetëm emigrantë të paligjshëm, por edhe kriminelë të rrezikshëm të dënuar për drogë”.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)