Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today20/01/2023
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Lara Colturi u shpall sot kampione e botës për të reja në ski, në Botërorin që po zhvillohet në Austri.
Në një postim në mediat e tij sociale, kreu i qeverisë shkruan se Colturi është e dashuruar me Shqipërinë.
Rama thotë se e reja kishte si qëllim që t’i sillte Shqipërisë medalje të arta dhe e mbajti fjalën.
Vajza me origjinë italiane, pas triumfit shprehu të gjithë entuziazmin e saj.
“Jam e kënaqur me atë çfarë kam bërë gjatë këtyre dy ditëve dhe jam këtu për Shqipërinë. Ishte një vendim që e morëm në familje. Vendosëm që unë të përfaqësoja Shqipërinë, në mënyrë që të kisha gjithmonë me vete në konkurrimet e mia mamin dhe babin. Mami dhe babi më kanë ndihmuar me këshillat rreth garës dhe specifikat e pistës dhe më përgëzuan për fitoren”.
Ndërkohë nuk fsheh gëzimin edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toci. “Emocion i pabesueshëm, na dha një kënaqësi të paimagjinueshme, Lara na ngriti flamurin këtu në Austri”, u shpreh ai.
Titulli botëror erdhi si një konfirmim i potencialit të jashtëzakonshëm që zotëron vajza e kampiones olimpike të Italisë, Daniela Ceccarelli.
Në ditën e parë të konkurrimit Lara Colturi u shpall kampione bote për moshat deri në 18 vjeç në ”Down Hill”, teksa në garën e dytë ajo mori vendin e parë në klasifikimin e përgjithshëm.
Skiatorja e talentuar do të konkurrojë edhe në garën e “gjigandit” më 21 janar dhe më pas do të paraqitet në Kronplatz, për ndalesën e radhës në Kupën e Botës.
Aty në datat 24 dhe 25 janar ajo do të marrë pjesë në dy gara, ku do të konsolidojë pozitat në Top 30 të kësaj disipline në Kupën e Botës.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)