Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, Kryeinspektorja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sulaj dhe përfaqësues të IMT-së dhe IKMT-së, inspektuan sot, 3 nëntor, në Farkë aksionin për bllokimin e disa objekteve të ndërtuara në shkelje të lejes, duke dhënë mesazhin e qartë për vendosjen e ligjshmërisë në territor.
“Pas inspektimit në terren dhe monitorimit me dron, Policia e Shtetit në bashkëpunim me IKMT-në, kanë konstatuar një sërë paligjshmërish lidhur me ndërtimet në këtë territor.
Ky është proces që vjen në zbatim dhe në vazhdën e një sërë masash që po merren prej muajsh lidhur me zaptimin e hapësirave publike dhe ndërtimeve pa leje në të gjithë territorin e vendit”, tha Koçiu.
“Kushdo që ka një leje ndërtimi apo që del përtej asaj leje, nuk do përfitojë as një metër katror se leja e dhënë”, paralajmëroi ministrja.
U bëri thirrje edhe atyre që shesin apo ndërtojnë objekte lidhur me këtë.
“Nuk do të përfitojnë dot as një metër katror të zaptuar padrejtësisht dhe në mënyrë të paligjshme!”
Theksoi se tanimë ka hyrë në fuqi paketa e masave ligjore për çdo shkelës. Nisur nga kjo, bëri një apel për qytetarët që dëshirojnë të blejnë një pronë.
“Verifikoni statusin ligjor të saj dhe denonconi në organet kompetente për çdo parregullsi apo situatë abuzive me pronën!”
Kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda bëri me dije se në këtë zonë është konstatuar tejkalim i lejes së ndërtimit.
“Policia e Shtetit do të procedojë personat që kanë abuzuar me këto leje, qofshin edhe zyrtarë të shtetit dhe do mbështesë të gjitha inspektoriatet në terren”, tha Proda.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj bëri me dije se “si në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera në zonën e Farkës, Lundrës, zona në të cilat kemi konstatuar si bashki e Tiranës, në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera, shikojmë që ndërtuesit kanë tejkaluar lejet e ndërtimit. Ne si bashki e Tiranës e kemi të qartë kur janë tejkaluar volumet e ndërtimit, kanë dalë jashtë lejeve të ndërtimit, nuk kanë respektuar ligjin”.
Kryeinspektorja e IKMT Dallëndyshe Bici, bëri një apel për ndërtuesit dhe personat e përfshirë në këtë veprimtari që të jenë korrektë në zbatimi e ligjit.
“Dua të bëj një thirrje për të gjithë sipërmarrësit, mbikëqyrësit e punimeve, arkitektët që të jenë të kujdesshëm për zbatimin korrekt të të gjitha masave tekniko-ligjore në fushën e ndërtimit”, u shpreh Bici.
Post comments (0)