Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
BBC ka bërë të ditur se do të mbrohet ligjërisht ndaj padisë prej 5 miliardë dollarësh, të ngritur nga presidenti amerikan Donald Trump, lidhur me një montazh të fjalimit të tij të 6 janarit 2021, të transmetuar në një dokumentar të emisionit Panorama.
Padia është depozituar në një gjykatë në Florida, ku Trump e akuzon transmetuesin publik britanik për shpifje dhe për shkelje të ligjit mbi praktikat tregtare. Sipas tij, montazhi i fjalimit ka shtrembëruar qëllimisht deklaratat e tij, duke krijuar përshtypjen se ai kishte bërë thirrje për dhunë përpara trazirave në Kapitolin e SHBA-ve.
Një zëdhënës i BBC-së deklaroi se transmetuesi do ta mbrojë çështjen në gjykatë dhe se nuk do të komentojë më tej për shkak të procedurave ligjore në vijim.
Trump kishte paralajmëruar padinë muajin e kaluar, duke deklaruar se dokumentari ishte transmetuar përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024 dhe se, sipas tij, fjalët e tij ishin ndryshuar në mënyrë mashtruese.
Në fjalimin e 6 janarit 2021, Trump u kishte thënë mbështetësve se do të marshonin drejt Kapitolit për të mbështetur ligjvënësit, ndërsa më vonë, në një pjesë tjetër të fjalimit, kishte përdorur shprehjen “ne luftojmë, luftojmë fort”. Në dokumentarin Panorama, këto dy deklarata u bashkuan në një klip të vetëm.
Në nëntor, një memorandum i brendshëm i BBC-së, i cili u bë publik, kritikoi mënyrën se si ishte montuar materiali, çka çoi në dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie, dhe drejtores së lajmeve, Deborah Turness.
Avokatët e BBC-së kanë argumentuar se montazhi nuk është bërë me keqdashje dhe se Trump nuk është dëmtuar nga transmetimi i dokumentarit, duke theksuar gjithashtu se programi nuk është shpërndarë në kanalet e BBC-së në Shtetet e Bashkuara dhe se ishte i aksesueshëm vetëm në Mbretërinë e Bashkuar përmes BBC iPlayer.
Nga ana e tij, Trump pretendon se dokumentari mund të jetë parë edhe në SHBA përmes përdorimit të VPN-ve, shërbimit BritBox apo marrëveshjeve të shpërndarjes me palë të treta, çështje për të cilat BBC ende nuk ka dhënë reagim.
Çështja ka nxitur reagime edhe në politikën britanike. Ministri i Shëndetësisë, Stephen Kinnock, deklaroi se BBC ka vepruar drejt duke qëndruar e palëkundur përballë padisë, ndërsa liderë të tjerë politikë kanë kërkuar që çështja të trajtohet në mbrojtje të interesave të publikut dhe të pavarësisë së transmetuesit publik.
Kjo padi është pjesë e një serie procesesh gjyqësore të ndërmarra nga Donald Trump kundër mediave. Megjithatë, analistë dhe figura mediatike në SHBA theksojnë se fitimi i një padie për shpifje në sistemin amerikan është i vështirë, për shkak të standardeve të larta ligjore që duhet të plotësohen.
Ish-drejtori i BBC Radio, Mark Damazer, ka deklaruar se mosballafaqimi me çështjen do të dëmtonte rëndë reputacionin e BBC-së, duke nënvizuar se rasti lidhet drejtpërdrejt me pavarësinë editoriale të transmetuesit publik britanik.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)