NASA ka realizuar me sukses nisjen e misionit Artemis II, duke shënuar fluturimin e parë me ekuipazh rreth Hënës pas më shumë se gjysmë shekulli.

Raketa u ngrit më 1 prill, duke dërguar katër astronautë në një mision që pritet të zgjasë rreth 10 ditë. Ekuipazhi nuk do të ulet në Hënë, por do ta rrethojë atë, në një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të njerëzimit në sipërfaqen hënore për herë të parë që nga programi Apollo.

Një tjetër ndërhyrje u bë vetëm një orë para nisjes, për të rregulluar një defekt në sistemin e abortimit të nisjes, që shërben për shpëtimin e astronautëve në rast emergjence.

Po ashtu, dritaret e nisjes janë të kufizuara dhe varen nga kushtet atmosferike dhe pozicioni i Hënës në orbitë.

Momente nga nisja

Gjatë numërimit mbrapsht, astronautët ndanë mesazhe simbolike nga kapsula Orion.

“Po shkojmë për familjet tona”, tha piloti Victor Glover.
“Po shkojmë për ekipin tonë”, u shpreh Christina Koch.
“Po shkojmë për gjithë njerëzimin”, deklaroi Jeremy Hansen.

Nisja u ndoq nga turma të shumta pranë Qendrës Hapësinore Kennedy, ndërsa inxhinierët monitoronin çdo fazë të fluturimit.

Raketa arriti shpejtësi mbi 16 mijë kilometra në orë, ndërsa përforcuesit u ndanë sipas planit. Ekuipazhi hyri në orbitë pasi kaloi vijën Kármán, kufiri që ndan atmosferën nga hapësira.

Katër astronautët do të testojnë kapsulën Orion dhe sistemet e saj, duke përfshirë drejtimin manual, navigimin dhe mbështetjen jetësore.

Ata do të udhëtojnë përtej orbitës së Hënës për të mbledhur të dhëna dhe për të testuar performancën e anijes në hapësirë të thellë.

Misioni përfshin gjithashtu eksperimente mjekësore dhe dërgimin e imazheve nga hapësira.

Artemis II nuk parashikon ulje në Hënë. Ky mision shërben si përgatitje për misionet e ardhshme, përfshirë Artemis III dhe Artemis IV, ku synohet rikthimi i astronautëve në sipërfaqen hënore deri në fund të dekadës.

NASA planifikon të përdorë mjete uljeje të zhvilluara nga kompani private si SpaceX dhe Blue Origin.

Programi Artemis synon krijimin e një pranie të qëndrueshme njerëzore në Hënë, me misione të rregullta dhe ndërtimin e infrastrukturës në sipërfaqe.

Edhe vende të tjera, përfshirë Kinën, Japoninë, Indinë dhe Rusinë, kanë shpallur plane për misione hënore në dekadat e ardhshme.

Misioni i fundit me njerëz në Hënë mbetet Apollo 17, i realizuar në vitin 1972. Artemis II konsiderohet një hap kyç drejt rikthimit të njerëzimit në satelitin natyror të Tokës.