Pasi janë njohur me rezultatet e katër provimeve të Maturës shtetërore, nxënësit që dyshojnë për gabime në korrigjim, mund të kërkojnë rivlerësimin e testit. Ministria e Arsimit ka vendosur të hapë aplikimet për maturantët që kanë ankesa për notat e provimit në një apo disa lëndë.
Ministrja Evis Kushi ka sqaruar se kërkesat e nxënësve për të marrë kopjen e testit do të behën online të mërkurën e 28 qershorit.
Tashmë që rezultatet e 4 provimeve të Maturës Shtetërore janë shpallur, të gjithë maturantët që janë të interesuar për të parë kopjen e testit të tyre mund ta marrin këtë shërbim në platformën e-Albania. Kryeni aplikimin online brenda 28 qershorit 2023, nga ora 8:00 deri në orën 16:00.
Evis Kushi
Pasi marrin online kopjen e testit të vlerësuar, maturantët që konstatojnë probleme apo gabime në vlerësim do t’i drejtohen shkollës së tyre.
Në datën 3 korrik, në gjimnazet ku ka ankesa nga maturantët për notat e provimeve, do të ngrihen komisione mësuesish për rivlerësimin e testit. Nëse mësuesit rivlerësues nuk konstatojnë gabime në korrigjim, nota e provimit nuk ndryshon.
Por nëse vërehen probleme, testi i maturantit i dërgohet Qendrës së Shërbime Arsimore për rishikim. Nota që del nga procesi i rivlerësimit do të jetë përfundimtare në listën e rezultateve te maturantit dhe në përllogaritjet për hyrjen në univeristete.
Rikorrigjimi i testeve ishte një nga risitë e kësaj mature. Pas këtij procesi në fund të korrikut deri në ditët e para të gushtit maturantët do të nisin aplikimet për shkollë të lartë, duke renditur 10 degët e preferuara. Këtë vit të rinjtë që synojnë Mjekësisë së përgjithshme do t’i nënshtrohen edhe konkursit online në Tiranë.
Post comments (0)