play_arrow

keyboard_arrow_right

Listeners:

Top listeners:

skip_previous play_arrow skip_next
00:00 00:00
playlist_play chevron_left
volume_up
chevron_left
  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM SHQIPËRI

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË

  • cover play_arrow

    LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP

Interesante

Si ka ndikuar Kodi i Hamurabit mbi sistemet ligjore moderne

today08/11/2022

Background
share close

Kanë kaluar gati 3.800 vite që kur Hamurabi e shtriu sundimin e tij në të gjithë Mesopotaminë e lashtë, një rajon që ndodhej midis lumenjve Tigër dhe Eufrat, dhe që sot përfshin Irakun si dhe pjesë të Kuvajtit, Turqisë dhe Sirisë. Por mbreti babilonas ka një ndikim që ndihet ende sot.

Kjo është për shkak të Kodit të Hamurabit, një koleksion prej 282 ligjesh dhe rregulloresh të shkruara me shkrimin kuneiform mbi sipërfaqen e një monumenti prej guri me një lartësi mbi 2 metra, që u zbulua nga studiuesi francez Zhak dë Morgan në vitin 1901, dhe që sot është pjesë e koleksionit të Muzeut të Luvrit në Paris.

Historianët e cilësojnë Kodin e Hamurabit si një simbol të mbijetuar të një sistemi të lashtë mesopotamian për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ndëshkimin e krimeve, dhe rregullimin e praktikave të biznesit. Ai ka pasur një ndikim të hershëm mbi zhvillimin përgjatë shumë shekujve të sistemeve juridike që ekzistojnë ende në shoqëritë e sotme.

 

“Kodi përmban një mbishkrim të lashtë të ruajtur mirë dhe të detajuar mbi ligjin dhe rendin gjatë Dinastisë së Parë të Babilonisë”- thotë Keli-Ana Diamond, ndihmës/profesoreshë e historisë në Universitetin Vilanova. Sipas saj disa nga ligjet e Hamurabit mund të duken sot shumë të ashpra, madje edhe barbare. Pasi shitja e pronës së vjedhur dhe ndërtimi i një shtëpie me probleme që shembej, ishin që të dyja krime të dënueshme me vdekje.

Po ashtu edhe dënimi për një skllav që e mohonte autoritetin e zotërisë së tij, ishte prerja e njërit prej veshëve. “Por ka të tjerë që sugjerojnë kujdes dhe përgjegjësi për grupet e margjinalizuara. Për shembull, ne shohim tek Kodi i Hamurabit atë që mund të cilësohet si pagesa më e hershme për ushqim”- thekson ajo.

Po ashtu, Kodi përshkruan një sistem ligjor të lashtë mesopotamian, me parime që zbatohen ende nga gjykatat në SHBA dhe shumë vende të tjera të botës. Për shembull, Kodi përcakton se për të shpallur dikë fajtor për një krim, duhet të mblidhen provat e nevojshme. “Nga ky kod buron parimi që dikush është i pafajshëm derisa të provohet fajësia e tij”- nënvizon Diamond.

Shtylla e Hamurabit përshkruan mbretin që merr në dorë ligjet nga Shamash, hyjnia mesopotiane e diellit, dhe që shërbeu edhe si gjykatës i Perëndive dhe njerëzve. Kjo histori e origjinës mund të ketë ndihmuar në promovimin e imazhit të Hamurabit si një sundimtar, fuqia e të cilit buron nga Perënditë. Por studiuesit thonë se në realitet, kodi i tij kishte evoluar nga praktikat e mëparshme. “Koleksioni më i hershëm i njohur i ligjeve, është ai i mbledhur nga Mbreti Ur–Nama 300 vjet përpara Hamurabit. Ai përmbante proporcionalisht më pak ndëshkime fizike dhe më shumë gjoba monetare sesa shohim në ligjet e Hamurabit”- shpjegon Amanda H.Podani, profesoreshë e historisë në Universiteti Politeknik Pomona në Kaliforni.

“Por në kohën e Hamurabit shumica e dënimeve ishin në fakt gjoba, pavarësisht se çfarë thoshin ligjet. Pra, ndoshta sistemi gjyqësor ka funksionuar në të njëjtën mënyrë gjatë atyre shekujve”- mendon ajo.

Po ashtu shtylla përshkruan Nanain që adhuron perënditë Osiris dhe Anubis, hyjninë e vdekur që mban çelësin e jetës. “Kodi i Hamurabit ndryshon nga kodet e mëparshme të Mesopotamisë pasi është më i detajuar, dhe na ka dhënë më shumë njohuri mbi ligjet dhe rregullat e kohës, strukturën shoqërore dhe mënyrën se si ligjet zbatoheshin për grupe të ndryshme njerëzish”- thotë Daun Mekormak, dekan i Kolegjit të Studimeve Pasuniversitare në Universitetin Shtetëror të Tenesit, SHBA, i specializuar mbi historinë e Egjiptit dhe Lindjes së Mesme.

“Teksa popullsia u diversifikua, kodet u përshtatën në përputhje me rrethanat e reja”- thekson ai. Por se sa rëndësi praktike kishte Kodi i Hamurabit në kohën e tij kjo është ende e paqartë. Siç e theksojnë historianët, ai nuk është një koleksion i plotë ligjesh.

Edhe pse kodi përmban rregullore të hollësishme mbi çështje që variojnë nga pagesa e mjekëve për vendosjen në vend të kockave të thyera dhe deri tek kostoja e marrjes me qira të një kau për shirjen e grurit, ka ndërkohë edhe boshllëqe të dukshme, si mungesa e një ligji bazë kundër vrasjes.

“Hammurabi nuk bëri asnjë përpjekje për të mbuluar të gjitha shkeljet e mundshme”- shprehet Podani. Ndonëse Hamurabi bëri një punë të madhe duke i gdhendur ligjet e tij në një monument guri, Podani mendon se të dhënat e mbijetuara mbi oborrin mbretëror mesopotamian nuk tregojnë se gjyqtarët konsultoheshin me kodin e mbretit për të marrë vendimet e tyre.

Koleksioni i ligjeve të Hamurabit u shpall afër fundit të mbretërimit të tij 43-vjeçar. Pra më shumë sesa për qeverisjen aktuale mbreti mund të ketë menduar me shumë se si do të kujtohej nga brezat e ardhshëm. “Të dhënat tregojnë se Hamurabi kujdesej shumë që të shihej si një mbret i drejtë, si për kohën që sundoi ashtu edhe në të ardhmen- thotë Podani.

Të njëjtin mendim ndan edhe Diamond: “Nuk ka shumë dyshime se Hamurabi donte të perceptohej si një sundimtar i drejtë që mbronte qytetarët e tij, përveçse edhe si një zëvendësues i perëndive në tokë, udhëheqës lufte, ndërtues dhe gjykatës suprem”. Ndaj Kodi i Hamurabit mund të shihet si një simbol i sistemit ligjor ekzistues mesopotamian të kohës së tij, risitë e të cilit patën një ndikim të qëndrueshëm.

“Mesopotamianët patën një sistem që i kushtonte shumë rëndësi arritjes të së vërtetës së një çështjeje, nëpërmjet përdorimit të dëshmitarëve, dëshmive gojore dhe provave me shkrim, dhe duke i detyruar individët të betoheshin se po thoshin të vërtetën”- shpjegon Podani.

Betimet ishin veçanërisht të efektshme, për shkak të besimit të thellë që kishin njerëzit se Zotat do t’i dënonin rëndë nëse gënjenin nën betim. Një panel gjyqtarësh dëgjonte një çështje të caktuar, dhe shpeshherë skribët regjistronin ngjarjet që ndodhnin gjatë një gjyqi. Të dhënat e kohës tregojnë se sistemi ishte efektiv dhe i besueshëm.

Po ashtu Kodi është i rëndësishëm sepse promovoi konceptin se drejtësia duhet të jetë e drejtë dhe e paanshme. Përmes kodeve, Hamurabi përcolli mesazhin se ai ishte një mbret që donte të siguronte që cilido – dhe jo vetëm të pasurit dhe të fuqishmit, por edhe të varfërit – mund të merrnin drejtësi, thotë Podani. Është një ide që drejtësia moderne po përpiqet ende që ta zbatojë, edhe pse jo gjithmonë ia del.

Code of Hammurabi: Laws & Facts - HISTORY

Written by: Sasha Ndreka

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *